Shtëpia ku shkrimtari i madh Ismail Kadare jetoi dhe punoi për shumë vite për të shkruar disa nga veprat e tij më të njohura letrare gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, është kthyer në një muze falë projektit të Bashkisë së Tiranës udhëhequr nga arkitektja Elizabeta Terragni. Qytetarët, por edhe vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj, kanë një destinacion më shumë për të vizituar në kryeqytet.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, regjisori Piro Milkani, ambasadorë e mjaft personalitete të fushës së artit dhe të letrave, morën pjesë në hapjen e apartamentit që pasqyron jetën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare gjatë periudhës totalitare. Brenda apartamentit, ekspozimi ndahet midis dokumenteve origjinale, objekteve, librave dhe mobilieve, si dhe hapësira ku mund të marrësh njohuri për veprën e shkrimtarit, në formën e një këndi leximi.
“Shprehja e Ismailit se gjithmonë ka kohë që njeriu të bëjë diçka të dobishme për vendin e tij, është fantastike. Në njëfarë mënyre gjetëm kohë, në shumë punë që ka qyteti, të bëjmë diçka të dobishme për vendin tonë, jo diçka ekskluzive të Tiranës, por diçka që lartëson, por edhe që hap një dritare për një nga figurat më emblematike, një nga markat më të njohura ‘Made in Albania’, që është Ismail Kadare, Helena dhe familja e tyre, si dhe vepra që ka buruar nga kjo shtëpi”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shprehu bindjen se kjo ndërtesë do të kthehet në një destinacion për turistët. “Ne duam që ky muze të jetë patjetër një në dhjetë gjërat që shihet në Tiranë, pas Bunkerit, Shtëpisë me gjethe, sheshit, institucionet tona të kultit, Muzeu Kombëtar, Opera e Baletit”, u shpreh ai.
Por në Pallatin me Kuba, siç njihet ndryshe në kryeqytet, ka jetuar edhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli. Bashkia e Tiranës ka vendosur që edhe ky apartament të kthehet në një muze për të ndarë me publikun disa copëza nga jeta e Agollit. “Ky pallat nuk ka qenë vetëm adresa e Ismailit dhe e Elenës, por është edhe adresa e familjes Agolli. Jemi në diskutime me të dy fëmijët e Dritëroit që të bëjmë të njëjtën gjë, dhe ta kthejmë edhe atë në muze. Kështu, i gjithë pallati do të jetë i vizitueshëm. Fehmi Ibrahimi dhe të tjera personalitete kanë jetuar në këtë pallat, ndaj besoj se herët a vonë do të kthehet në një destinacion ku Bashkia e Tiranës me muzeumet vendore do të fillojë një traditë të re”, nënvizoi Veliaj.
Bashkia e Tiranës po eksploron mundësi të reja për krijimin e hapësirave të tjera të vizitueshme për qytetarët dhe turistët e shumtë. Ndaj, krahas atyre në qendër të qytetit, edhe në zona të tjera të Tiranës do të ketë muze të tjerë që do të rrëfejnë më shumë për kryeqytetin. “Ne jemi duke eksploruar edhe hapësirat e tjera në Tiranë, që ashtu si shtëpia e Ismailit edhe Dritëroit, të kemi edhe hapësira të tjera që mund t’i kthejmë të vizitueshme, edhe në cepa të ndryshme të qytetit, për të mos u fokusuar në pjesën tonë qendrore.
Teksa e cilësoi një projekt kurajoz, ministrja e Kulturës Elva Margariti, theksoi se kjo studio-muze do të kthehet në një hapësirë kërkimi për të rinjtë që do të njohin një pjesë të kulturës së tyre. “Kanë kryer për mendimin tim një gjest shumë të fortë dhe shumë kurajoz për faktin që kanë hapur dyert e intimitetit të tyre dhe e kanë bërë pjesë të jetës sonë. Çelësi është koha; koha këtu vërtet ka ndaluar, por e ndjen që rrjedh dhe koha këtu do të vazhdojë dhe do ta ndryshojë këtë vend. Këtu do të kthehet në një hapësirë kërkimi ku të rinjtë do të njohin një pjesë të kulturës së tyre, do të kenë mundësi të njohin akoma më nga afër një nga thesaret e vendit tonë sepse Ismail Kadareja faktikisht është për ne, në të gjithë botën, një thesar i kombit shqiptar”, tha Margariti.
Një nga ikonat e kinematografisë shqiptare, regjisori Piro Milkani i cili është dhe një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ismail Kadaresë, rrëfeu edhe disa nga emocionet e tij teksa sheh se si dyert e këtij apartamenti hapen sërish, por tashmë për të gjithë adhuruesit e veprave të tij. “Kam qenë dhe mbetem mik me Kadarenë prej 50 vitesh, dhe e kam vizituar këtë shtëpi disa herë. Për të qenë të sinqertë të kesh mik Kadarenë është shumë e vështirë. Duhet pranuar si i tillë. Por ka momente që mund t’ju them që humori i tij është i jashtëzakonshëm. Unë e quaj veten të privilegjuar, kam pasur bashkëpunimin më të parë me Ismail Kadarenë në filmin “Përse bie kjo daulle”, sipas romanit “Dasma”, këtu e 50 vite përpara, dhe së fundmi 50 vjet më vonë kanë një dokumentar së bashku me Emën që quhet “Gjeneralët e vdekur të ushtrisë”. Ju faleminderit dhe urime të gjithëve për këtë punë të pakufishme”, tha Milkani.
Një nga vizitorët e parë të shtëpisë-muze është vetë gjeniu i letrave shqipe, i cili së bashku me bashkëshorten e tij, Helena Kadare, u rikthye në apartamentin e mbushur me kujtime. Kadareja ka vlerësuar projektin që e shndërroi shtëpinë e tij në një muze të vizitueshëm për qytetarët dhe turistët e huaj.
“Askush nuk e dinte këtë projekt dhe ideja vetë është e mrekullueshme, është fisnike, shumë humane. Mua s’më mbetet veçse të përsëris mirënjohjen time për të gjithë. Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjohen emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij. Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Europë. Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar”, shprehet i emocionuar shkrimtari i madh.
Ndërkohë bashkëshortja e shkrimtarit, Helena Kadare vlerësoi projektin që synon të rrëfejë për publikun detaje nga jeta personale dhe krijimtaria e Ismail Kadaresë.
“Në këtë shtëpi kemi patur kaq shumë gëzime, por edhe aq hidhërime, aq shumë sekrete, të cilat kujtoja se do të mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë. Befas, më mrekulloi ideja e hapjes dhe unë vij tani si vizitore. Habitem vërtetë me këtë punë jashtëzakonisht të mrekullueshme që ka bërë bashkia, bashkë me ata vajza dhe djem të rinj, me një energji fantastike”, thotë zonja Helena Kadare.
Burimi: www.flurudha.com / Përshtati: M. P.