Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920. Përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtutetuese.
Në Historinë e Popullit Shqiptar, “Periudha e Pavarësisë” (28 nëntor 1912 – 7 prill 1939), në faqen 249 përmendet shpallja e Republikës Shqiptare nga Asambleja Kushtetuese dhe miratimi i statutit apo kushtetutës republikane, në të cilat Tirana shpallet përfundimisht kryeqytet i Shqipërisë.
Tirana ndonëse kishte një popullsi të barabartë me atë të Elbasanit, kishte kushte më të mira për organet qeveritare. Këtu kishte më tepër ndërtesa të mëdha, më tepër lokale publike, më tepër rrugë të gjera, më tepër hotele. Duke marrë parasysh këto faktorë, qeveria e Lushnjës mori vendim më 9 shkurt 1920, që ta vendoste kryeqytetin e Shqipërisë përkohësisht në Tiranë, duke e lënë të hapur çështjen e vendosjes përfundimtare të kryeqytetit kur të mblidhej e para asamble kushtetuese. Me miratimin e të gjithë pjesëtarëve të Kongresit të Lushnjës, anëtarët e Këshillit të Lartë, së bashku me pjesëtarët e qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar, hynë më 11 shkurt 1920 në Tiranë, fill pasi repartet e ushtrisë italiane ishin larguar nga qyteti dhe vendosur në Durrës. Banorët e Tiranës e pritën me entuziasëm hyrjen e organeve të larta shtetërore, në kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë, të cilin asambleja kushtetuese e vitit 1925 e shpalli përfundimisht kryeqytet të saj. Sidoqoftë jeta e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë fillon më 11 shkurt 1920.
Burimi:wikipedia / Përgatiti për ALVA – V.D.