Ne shqiptarët, ndoshta më tepër se të tjerët, kemi nevojë të promovojmë vlerat tona më të mira, sidomos në kushtet aktuale, ku duhet thënë se imazhi ynë kombëtar, për arsye të ndryshme, disi ka rënë. Kemi menduar dhe, madje jemi duke e provuar, se një nga rrugët që duhet ndjekur për të përmirësuar në njëfarë masë imazhin e cënuar është angazhimi për ngritjen e përmendoreve për njerëzit tanë të mëdhenj, atdhetarë, dijetarë, klerikë të shquar etj.

Gjatë punës 15-vjeçare në drejtimin e shoqatës ndërkombëtare për solidaritet dhe zhvillim të vendeve të lindjes, “Solidest”, me seli në Gjenevë, më është dashur të mësoj shumë dhe të veproj në shumë vende të botës, ku kam dërguar zërin e kombit tim dhe kam ndihmuar për ngritjen e dinjitetit të bashkëkombësve të mi pranë autoriteteve shtetërore.
Veterani i nderuar i Lufës Prof. Dr. Astrit Leka shprehet: “Në fillim vendosëm bustin e Skënderbeut në Gjenevë. Pas përgatitjes së një projekti për ngritjen e bustit të Skënderbeut në Gjenevë, bust bronzi që e kisha paguar në vitin 1991 në Tiranë, mora iniciativën, duke iu drejtuar për këtë fillimisht autoriteteve zvicerane, deri sa më në fund ia arrita qëllimit, duke siguruar miratimin e këtij projekti pas gjashtë vitesh. Kështu, busti i Skënderbeut u përurua në Gjenevë më 1 nëntor 1997. Më tej vijuam me projektet për ta ngritur atë edhe në metropole të tjera, ku sytë e shqiptarëve e kërkojnë e krenohen me bustin e Skënderbeut.”

Paria gjeneveze, e ndodhur para sulmit të Dukës së Savojës, francezit Charlie Emanuel i Parë, më 12 dhjetor 1602 u mblodh dhe vendosi të mbrohet ashtu si luftoi populli shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut.“Skënderbeu në krye të një vendi të vogël përballoi një ushtri të madhe perandorake, – folën prijësit e Gjenevës. – Ai na jep forcë që ne të përballojmë duke luftuar”. Skënderbeu u bë frymëzues për luftën mbrojtëse të gjenevezeve dhe qyteti u mbrojt. Këtë të vërtetë historike e nxori nga arkivi veterani dhe patrioti model Astrit Leka, ose siç është quajtur nga gazeta e Gjenevës “GHI” “Vënësi i busteve të heronjve nëpër botë”.

Astrit Leka, i vlerësuar si Nderi, jo vetëm i Gjenevës por i gjithë Zvicrës, e meriton të quhet “Njeriu i Shekullit të Pavarësisë”. Para pesëmbëdhjetë vjetësh, kur imazhi i popullit tonë kishte rënë poshtë, për shkak të trazirave të vitit 1997, Astrit Leka, ky luftëtar shembullor, loboi pranë organeve më të larta shtetërore zvicerane për vendosjen e bustit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjenevë.

Gjeneva, zemra e botës, ku janë vendosur selitë më të larta të organizatave ndërkombëtare, ka vetëm një vepër arti kushtuar strategëve të vendeve të tjera. Dhe ky është busti i Skënderbeut tonë legjendar.

Ky bust, një mrekulli e duarve të arta të Odise Paskalit të pavdekshëm, është vendosur në pragun e madh që quhet  William Poppard, buzë liqenit Leman. Me shikim nga liqeni, kjo vepër arti skalit madhështinë e historisë tonë kombëtare dhe vlera të mëdha arti. Skënderbeu ynë vizitohet dhe përshëndetet jo vetëm nga bashkëkombasit e tij, por nga qytetarë të mbarë botës. Mbrapa bustit, rreth 30 metër është një godinë tradicionale e Gjenevës ku është vendosur selia e Organizatës Ndërkombëtare të Tregëtisë e më sipër ajo e Shkencës. Në këtë park të madh që qarkon liqenin, busti i Skënderbeut rrezaton nga larg e flet për një komb sa të vjetër aq heroik. 

Burimi:https://www.shqiperia.com/ Shkruar nga: Sami Starova 2012/http://www.preshevajone.com/ Përshtati për ALVA: R. H. & M. Perja