E palodhur dhe kurajoze. Plot energji, potencial, shpirt humanitar. Një zë i fuqishëm në shoqërinë civile, një mbështetje pa kushte për shtresat në nevojë. Gjithçka për njerëzit, me të cilët jeton në një qytet, për njerëz që i ndesh çdo ditë në rrugë dhe i ndien problemet dhe vështirësitë e tyre. Por, mbi të gjitha, ajo nuk hesht – nuk bën indiferenten, por është zgjidhja e këtyre problemeve. Për të tilla gra ka nevojë sot, më shumë se kurrë, shoqëria shqiptare

Një grua e aftë, plot energji dhe potencial, e cila ka sjellë ndryshim radikal dhe pozitiv në qytetin e Pogradecit, jo vetëm në nivel komuniteti, por dhe në nivel personal, me këdo që takon. Një grua e suksesshme në fushën e biznesit, në shoqërinë civile dhe me një kontribut të madh në mbështetje të shtresave në nevojë. Kjo është Mimoza Shuli, së cilës, iu akordua në një ceremoni gala, “Çmimi i Filantropisë 2012”, me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në promovimin e biznesit artizanal lokal të zhvilluar nga gra në nevojë në qytetin e Pogradecit, punësimin dhe përmirësimin e situatës ekonomike të familjeve të tyre, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme financiare të grupeve të tjera në nevojë”. Në prani të një audience të gjerë të ftuarish, me përfaqësues nga sektori i biznesit, ai jofitimprurës, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe institucione donatore dhe media, në ceremoni madhështore u shpallën fituesit e Çmimit të Filantropisë 2012. Më shumë se kushdo, zonjën Shuli e vlerëson komuniteti në të cilin jeton. Dhe për këtë çmim, propozimi ishte nga bashkia e Pogradecit dhe nga organizatat joqeveritare që e veprojnë në këtë qytet. Prej dy vitesh, në atributin e anëtares së Këshillit Bashkiak, Mimoza është shquar si një këshilltare e zonja për mirorientimin e mirëpërdorimin e buxhetit vjetor të bashkisë. Është nga të vetmet gra prezente që di të ngrejë zërin e të mbrojë me devotshmëri argumentet e saj në interes të grupeve, të cilat mendon se janë më emergjentë për t’u trajtuar me ndihmë.

Mimoza është gruaja që di të jetë solidare me gra të tjera në qytet, që di të përkrahë e të mbështesë ato gra që kanë aftësitë të ecin në rrugën me plot të papritura të bizneseve të vogla familjare. Por jo vetëm grave ajo një kontribut dhe një mbështetje të madhe ju ofron dhe moshave të treta për të cilët një kafe në mëngjes ne lokalin e saj për këto mosha e ka falas. Mimoza i bëhet nënë jetimëve dhe vajzë të moshuarve, është vajza e qytetit që e duan të gjithë. Është një grua, e cila me shumë sukses ka përfaqësuar traditat pogradecare në shumë forume e konferenca kombëtare e ndërkombëtare si në Koblenc të Gjermanisë, Kroaci, Mal i Zi, Bullgari, etj. Ka marrë pjesë në 8 konferenca të sipërmarrjeve femërore të vendeve të Jonit dhe Adriatikut. Ka kontribuar me të ardhura ekonomike në familjet e varfra për të festuar Vitin e Ri 2010-2012, për t’u ndjerë dhe ato të barabartë me të tjerët. Çdo Krishtlindje ka ndarë dhurata për fëmijët jetimë, në 30 fëmijë të moshave nga 3 vjeç deri 10 vjeç për 4 vite me radhë

Mimoza Shuli është aktiviste për fuqizimin e rolit të Gruas në shoqëri jo vetëm brenda rrjetit të grave. Ajo është një grua, e cila nëpërmjet punës së saj të madhe dhe kontributit në qytetin e Pogradecit, është bërë e njohur duke e shpërndarë këtë eksperiencë të suksesshme në shumë qytete si dhe në disa vende të rajonit. Me një kurajë për t’u admiruar nisi një biznes familjar 1994, për ta kthyer brenda pak viteve në një biznes të madh “Perla Hotel”, vite këto gjatë të cilave është vlerësuar në qytet për ndihmesën e dhënë kujtdo që ndodhej në nevojë për mbijetesë. Anëtare e “Grave Biznesmene të Shqipërisë”, nënkryetare e qarkut te Korçës për “Shoqatën Shqiptare të Turizmit” si dhe Kryetare e “Shoqatës së grave artizane” në Pogradec, të cilën e ka krijuar në mbështetje të grave të papuna për t’i aktivizuar në biznesin familjar nëpërmjet artizanatit.

http://www.gazetarepublika.al – Përgatiti: Eglantina Alliaj / Përshtati për ALVA – V. Dibra