8 dhjetori është “Dita Kombëtare e Rinisë”, prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të Qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë dhe protagonistë të kthesës së madhe historike: protestave paqësore që sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë. 

Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur. 

“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte shprehja kyçe e 8 dhjetorit, kur të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës, integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik.

Burimi:www.shekulli.com