Familja Mema, e njohur për traditën e saj futbollistike, ka qenë pjesë e një specialeje që UEFA ka publikuar në faqen e saj të internetit kushtuar të ashtuquajturave “familje të futbollit” në të gjithë kontinentin. Në këtë speciale, ku rreshtohen disa emra shumë të njohur të futbollit botëror, tregohet edhe historia e kësaj dinastie shumëvjeçare tiranase që ka kaluar brez pas brezi.

“Në vitet ‘60-’70, tre vëllezërit Mema – Haxhi, Ali dhe Osman – ishin pjesë e Tiranës si lojtarë apo trajnerë, me këtë pasion për futbollin që iu shpërnda edhe gjeneratave të tjera. Gjatë periudhës së suksesshme të tij si trajner i Tiranës, skuadrat e Ali Memës përfshinë edhe nipin e tij, Sulejmanin (djalin e Haxhi Memës), që më vonë mori drejtimin e skuadrës së Tiranës, në të cilën ishte pjesë Ardiani, djali i Ali Memës. Tirana është në gjakun e familjes – edhe pse Osmani për një periudhë të shkurtër luajti për rivalët e Partizanit gjatë shërbimit ushtarak. Ndërsa Sulejmani kaloi një periudhë të vështirë kur mori drejtimin e Partizanit. “Kisha gjithë familjen kundër”, kujton ai. “Xhaxhallarët e mi, nipërit, gjithkush, përfshirë edhe dy vajzat e mia”, është pjesa që i kushtohet Shqipërisë dhe dinastisë Mema në këtë speciale të UEFA-s mbi familjet më të njohura futbollistike të kontinentit.

Foto 1: “Mjeshtri i Madh” Ali Mema gjatë stërvitjes.
Foto 2: “Legjenda e Futbollit Shqiptar” futbollisti Ali Mema
Foto 3: Haxhi Mema dhe i biri Sulejman Mema

Burimi: Ermal Kuka – Gazeta Shqip / Përgatiti për ALVA – E.D.