Çdo vit festohet 7 Marsi, “Dita e Mësuesit” që siç na është thënë, përkujton ditën kur u hap e para shkollë shqipe në Korçë më 7 Mars 1887. Njerëzit urojnë mësuesit, nderojnë punën dhe kontributin e atyre që mësuan dhe mësojnë breza nxënësish! Hapja e Mësonjëtores në Korçë në vitin 1886 ishte ngjarje me rëndësi historike, por, për hir të së vërtetës, data e hapjes së shkollës së parë shqipe është më e hershme! Në një studim te “Hylli i Dritës” botuar në vitin 1935 At Donat Kurti shkruan për shkollën shqipe të vitit 1638!

Vitin 1632 si vit të hapjes së shkollës shqipe po ashtu e përmend historiani Edvin Zhak në librin “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”.
Nuk ka asnje problem pse është 7 Marsi Ditë e Mësuesit! Le të jetë ajo datë, le të nderojmë Korçën për kontributin e saj në dobi të kulturës kombëtare por është me rëndësi të madhe për kombin tonë që daten e hapjes së shkollës ta kemi edhe disa shekuj më tutje në histori!

Shkollat shqipe të vitit 1632 kanë qenë shkolla të hapura nga Kisha Katolike Shqiptare por ishin shkolla shqipe, mësuan shqip! Në vitin 1632 në të gjithë botën shkollat kanë qenë fetare, laiciteti frëng nuk ishte shpikur ende! Një tjetër e dhënë me shumë rëndësi historike është se në vitin 1877, pra 10 vjet para Mësonjëtores, në qytetin e Shkodrës ka pasë Kolegj shqip për studentë që janë diplomuar në profesione të ndryshme! Pra ka qenë Shkollë e Lartë. Këtë e konfirmon historiani amerikan Edvin Zhak që na shkruan se në vitin 1877 në qytetin e Shkodrës kishte një “qendër me ndikim për arsimin e lartë, Kolegja e Shën Françesk Savierit, që pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë”. Kjo shkollë e lartë ishte edhe një qendër shkencore për krejt Ballkanin, jo vetëm për Shqipërinë. Sipas këtij autori, “një risi shkencore në Kolegjin e Shën Savierit ishte Observatori Metereologjik, i themeluar aty më 1888, si i pari observator astronomik në Ballkan”. Ky observator, thekson Zhak, “i vazhdoi shërbimet e tij të vlefshme deri më 1946, kur u konfiskua nga regjimi komunist”. 

Nuk është pa rëndësi fakti që shtypshkronja e parë në ballkan kishte hyrë në Obot “fill mbas të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, njihet më 1493. Pra vetem 38 vjet pasi Gutenbergu i dhuroi njerëzimit shpikjen më të vyeshme shtypshkronjën dhe për së pari shtyp në shtypshkronjën e vet Biblen! Shtypshkronja, siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më të mëdha të gjithë kohëve. Studiues të ndryshëm e vendosin Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit.
Si shkolla e Pllanës ashtu dhe kolegji në Shkodër kanë qenë hapur nga Kisha Katolike Shqiptare që për hir të së vërtetës duhet pranuar se ka qenë pikërisht Kisha ajo që ruajti tharmin kombëtar shqiptar nën shekujt e pushtimit osman! Kontributi i tyre është aq i madh sa pa kontributin dhe veprën e Priftërinjve katolikë shqiptarë sot nuk do kishim komb shqiptar. Mjafton të përmendim se vepra e parë e shkruar shqip është “Meshari” nga kleriku Gjon Buzuku! Pastaj vijnë me rradhë Budi, Bardhi, Bogdani. Në terrin e pushtimit shekullor ata mbajtën ndezur pishtarin e shqiptarizmës.

E pakta që mund të bëjmë sot për të nderuar atë kontribut jetik për kombin tonë është që të kujtojmë datën e saktë të shkollës së parë shqipe! Nderimi asaj date në fakt na nderon më shume ne si komb!

Burimi:http://www.voal-online.ch /Përshtati për ALVA: L. D.

Artikulli paraprakRoli i Shën Terezës dhe misioni i saj në botë 
Artikulli tjetërTë nderuar e të respektuar, mësues, kudo që jetoni e punoni “Gëzuar 7 Marsin”!