Poezia e njohur “Nëse mundesh” nga nobelisti anglez, Rudyard Kipling, ka më shumë se 120 vjet që vazhdon t’i magjeps artistët në gjithë botën, jo vetëm me gjuhën novatore dhe me stilin modern, por ajo jehon edhe sot fuqishëm sidomos me mesazhin aktual e universal që ka. Së fundi, kjo kryevepër e poezisë botërore e shkruar në vitin 1895 është bërë pjesë e artit të poetit dhe këngëtarit shqiptar, Ilir Shaqiri, në këngën më të re që ai e ka titulluar “Himni i jetës”. Poezia “Nëse mundesh” (“If” by Rudyard Kipling, London 1910) të cilën në këngën shqipe e futi Ilir Shaqiri, duket se i bie theksit e kumbon më shumë se sa në gjuhën e origjinës.

Nëse mundesh, fitoret që ke korrur t’i flijosh,
kur të pështyjnë e të përulin, të qëndrosh.

apo

Nëse mund t’i durosh thëniet, fjalët e tua të drejta
në kurthe trutharët kur t’i kthejnë.

Poezia “Nëse mundesh” e Kiplingut e ruan aktualitetin edhe sot e këtu me mesazhin e fuqishëm që ka, sepse vargjet e saj në fakt janë një porosi-testament nga një baba, i cili duke ia njohur thellë cenet e një bote ku mbisundon ligësia, i drejtohet të birit që të bëjë kujdes se është “i dënuar” të jetojë në një botë të ligë.

Vargjet e Kiplingut brenda këngës së Ilir Shaqirit sikur e kanë gjetur timbrin e kërkuar prej më shumë se një shekulli dhe nga një kryevepër letrare është shndërruar në një kryevepër muzikore. Si rrallëherë dy artet më fisnike – poezia dhe muzika, këtu e përmbushin njëra-tjetrën dhe na japin një porosi universale – të vjetër – që nuk plaket kurrë.

Poezia e Kiplingut e interpretuar nga Ilir Shaqiri sot i bënë jehonë stërkeqjes së kësaj botës sonë, ku virtyt është mendjemadhësia e fudullëku, e modestia – budallallëk; ku me ar peshohet injoranca – e ku përbuzet dija e njerëzia; ku për të vërtetën ndëshkohesh e për shpifje dekorohesh.

Poezia e Kiplingut e interpretuar nga Ilir Shaqiri sot na vijë si një revoltë artistike kundër rendit publik që shkel pa mëshirë e pa pardon mbi të pamundurit e varfanjakët; është revoltë kundër egërsisë që ka pllakosur rendin shoqëror, i cili sistematikisht abuzon me nderin dhe dinjitetin e njeriut të ndershëm; kundër këtij rendi që rëndë po e keqpërdorë lirinë dhe idealin për të vërtetën.

Poezia “Nëse mundesh” e Rudyard Kiplingut padyshim se do të vazhdojë të jetë një kryevepër e letërsisë, përderisa në botë do të ketë ligësi e padrejtësi, por ajo që tani do të jetë edhe një kryevepër muzikore e artistit të madh shqiptar, Ilir Shaqiri.

Burimi:Ilir Shaqiri / Përshtati për ALVA:M. P.