Regjisor dhe dramaturg i njohur, Mihal Luarasi është një nga emrat e vlerësuar të teatrit shqiptar. Vepra të suksesshme në skenë mbajnë emrin e tij, dhe siç pohon dhe vetë pasionin për artin e ka pasur që në vogëlinë e tij. Një jetë që ka kaluar mes jo pak peripecive. Në kohën e diktaturës kur sukseset nuk mungonin, sistemi e dënoi. Por në aktivitetin artistik regjisori Mihal Lurasi nuk u ndal, në vitet e demokracisë solli në skenë vepra që sërish morën vlerësime nga publiku dhe kritika. Mihal Luarasi bashkë me bashkëshorten e tij Edi, janë një nga çiftet e njohur të artit shqiptar. Në intervistën e tij ai tregon njohjen dhe martesën, që në vitin 1958. Një baba dhe një gjysh i lumtur, regjisori Mihal  Luarasi shprehet se edhe Edi ka qenë një heroinë në situatat më të vështira që ai ka kaluar. 

Mihal Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929 në Korçë. Shkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë.

Në teatër për herë të parë si regjisor paraqitet me tragjedinë e Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në 1957 me shumë sukses në “Teatrin Popullor”, spektakël që qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt më se 300 herë.

Mihal Luarasi është njëri nga tre regjisorët e shquar të periudhës më të ndritur e cilësore të teatrit shqiptar në vitet 1957-1973: Luarasi – Spahivogli – Mani. Për arsyet që dihen, në Teatrin Kombëtar Luarasi vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si:

“Dragoi i Dragobisë”,

“Dhelpra dhe rrushtë” fituese e të gjitha çmimeve të para në Festivalin e II-të kombëtar të teatrove,

“Mosha e bardhë”,

“Banorët e shkallës nr. 6”,

“Rrugë të tërthorta”,

“Një dashuri e tille”.

Më 1966 vuri për herë të parë në skenë në Teatrin Migjeni të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”.

Në 1973 vuri në skenë dramën e Tennessi Wiliamsit “Orfeu zbret në ferr”, dramë që u ndalua në provat e përgjithshme.

Është regjisor i dramës “Njolla të murrme” me trupën e Korçës me të cilën fitoi të gjitha çmimet e para në Festivalin e IV kombëtar të teatrit 1969. Në teatrin AZC të Korçës punoi pesë vjet dhe realizoi një sërë shfaqjesh të paharruara, si “Të pamposhtur”, “Pas dy vjetësh”, “Flakë në shtepi” etj. Më 1972 në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit vuri në skenë dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” të Fadil Pacramit, vepër që u dënua. Me festivalin 11 në RTVSH 1972, Luarasi u dënua me tetë vjet heqje lirije. Pas lirimit punoi si bojaxhi deri në vitin 1990.

Në dhjetor 1990 largohet në Hungari. Më 1991-1992, vë në skenë në Budapest dramën e Rexhep Qosjes “Vdekja e një mbretëreshe”. Më 1995 e fton Teatri Kombëtar në Tiranë dhe vë në skenë dramën “Hekurat” të dramaturgut hungarez Göncz Arpad. Mihal Luarasi është regjisor i disa spektakleve te mëdha në Teatrin e Operas e dhe Baletit, si “Karmen”, “La traviata”, “Pranvera”, “Opera për tre grosh”, etj. si dhe opera shqiptare. 

Gjatë qëndrimit ne Hungari, ka botuar një sërë shkrimesh mbi teatrin në shtypin hungarez dhe atë shqiptar. Në vitin 2003 u botua libri i tij “Teatri Kombëtar në udhëkryq” dhe pas dy vjetësh libri i dytë me shkrime mbi teatrin dhe arte të tjera “Kujtesa që nuk flë”.

Në vitin 2001 Luarasi shkruan dramën “Gomone” që u vu në skenë në TK, në 2003, nga regjisori Geëzim Kame. Në këtë vit ai kthehet përfundimisht nga Hungaria. Vë në skenë në TK dramën e Ruzhdi Pulahes “Streha e të harruarve” në 60 vjetorin e Teatrit Kombëtar. Në 2006 shkruan dhe vë në skenë dramën “Korbi bardhë” korri sukses edhe më tej me vazhdimin e shfaqjes më 2007.

U nda nga jeta më 30 tetor 2017.

Burimi:wikipedia / https://sot.com.al / Punoi për ALVA – V. D.