Virtytet e një populli që nuk zhduket …

Telehisja, apo ngjyrosja e nuses, në Malsitë e Tetovës e më gjerë është një traditë e lashtë shqiptare e trashëguar dhe e praktikuar me përkushtim nga gratë, nënat, motrat tona deri pas viteve 90-të. Kjo praktikë kulturore është bartur dhe mësuar brez pas brezi si në rrethin e ngushtë familjar ashtu edhe në atë jashtë familjes duke u shdëruar me kohë në profesion me përdorim të gjerë martesor. Gjatë riteve martesore telehisjen e bënë telakja, pra gruaja që ngjyros nusen dhe e cila paguhet për këtë punë nga famljarët e dhëndrit, që mund të jetë vjehri apo edhe vetë dhëndri nëse i mungojnë prindërit.


Në historikun e telehisjes në Malësitë e Tetovës kanë lënë gjurmë një numër i madh telakesh të njohura:si për shembull në katundin Bozovcë, edhe pse telake ka patur shumë, vlen të përmenden ato më të dalluara dhe më në moshë si Fazilja, bija e Hajdarit (1880 – 1960) e cila i le trashëgimi zanatin Nailes, brenda në familje të vet. Më tutje, Ruhidja e cila sot është 78 vjeçare dhe akoma është në gjendje të telehis.
Në këto katunde të malësive të Tetovës njihen dy lloje të telehisjes. Telehisja e ditës së parë të nuserisë, telehisja e spariherit dhe telehisja për trenetë.

Para se me e telehis “Nuses ia zënë flokët, duke ia lidhur disa bishtaleca sosh: prej 3, 7, 9, 11, 13 e më shumë, dukeshikuar që ato të jenë gjithënjë numër tek, që ti sjell nusese fat, lumturi e djemë në jetë”. Në ditën e parë të nusërisë telehiset e tërë fytyra me ngjyrë të bardhë. Mbi të bardhën në dy faqet vendoset nga një rreth i kuq i mbështjellur me rrathë të verdhë nga teli i grirë që e quajnë ‘’tel shamaki’’ nga këtu shpërndahen rreze simetrike, dhe të lidhura njëra me tjetrën me ngjyrë të verdhë e të shndritshme. Pra në formën e diellit, me rreze që shpërndahen në hapsirë. Por në këtë hapësirë dielli nuk ngroh njëlloj tokën dhe rrezet e diellit nuk shpërndahen njëjtë në hapësirë, sepse brenda njëzetëekatër orësh dielli në dukje lind dhe perëndon, por në realitet ai është gjithënjë në lindje. Që do të thotë se nusja e re duhet të lindë fëmijë e të le trashegimtarë. Në mbrendësi të këtij dielli të pikturuar mbizotëron vetëm ngjyra e kuqe, që vendoset në mollëzat e faqeve në formë të rrumbullakët që nënkupton zjarrin. Zjarri shpreh gjallërinë, jetën në vazhdimesi, begatinë, dhe lindshmërinë. Pra në atë shtëpi ku ka zjarr aty ka gjallëri, pra ka jetë.

Burimi: Neshat Mehmedi