Nina Mula lindi më 23 nëntor 1931 në Izhevsk, Rusi. Vajza bukuroshe nga Izhevski i Rusisë, e talentuar dhe e pasionuar me muzikën, nuk e mendonte kurrë se do të bëhej e njohur në një vend të vogël e të largët si Shqipëria.

E rritur në një familje punëtore e të varfër, Nina, e cila mbeti jetime në moshë të re, i kushtoi të gjithë rininë familjes. Sopranoja ruso – shqiptare pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi në Shqipëri, fillimisht në Shkodër e më pas në Tiranë, ku veç dashurisë së bashkëshortit fitoi edhe emër si soprano e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Nina Mula 18 vjeç

Takimi me artisten e njohur ruse Irina Maslenikova, ishte vendimtare për karrierën e Ninës 18 vjeçare që korri suksesin e parë në jetë, duke fituar konservatorin e Moskës, ku veç të tjerash u njoh me studentin shqiptar, Avni Mula, dashuria për të cilin e solli në Shqipëri.

Pas mbarimit të Shkollës Pedagogjike në qytetin e lindjes, në Izhevski, në vitin 1950 kreu studimet e larta për kanto pranë Konservatorit P.I.Tchaikovsky në Moskë deri në vitin 1955, ku më pas kreu edhe një kualifikim pasuniversitar. Në Shqipëri do të vinte në vitin 1957. Talenti i saj u dallua qartazi mes të tjerëve dhe sopranoja Nina Mula, do të emërohej soliste pranë Teatrit të Operës dhe Baletit.

Çifti Mula gjatë roleve

Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ardhur në TKOB, Ninës iu besua roli i Jolandës në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Një shfaqje kjo që e afirmoi duke marrë më pas shumë kryerole deri në mesin e viteve ’70.

Në vitin ’58, me partner bashkëshortin, Nina interpretoi rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” më pas interpretoi në “Pranverën” e Tish Daisë.

Role e saj që nuk do të harrohen në opera janë “Evgeni Onjegini” , “Madam Batërflaj”, “Dasma e Figaros” e më

pas, i trokiti fati të luante pikërisht ajo Mikaelën në operën “Karmen”. Pak vite më vonë pati rolin e Mrikës në veprën me të njëjtin titull të Jakovës dhe atë të Donikës në premierën e operës “Skënderbeu”.

Ajo punoi deri në daljen e saj në pension në vitin 1976, por ndërkohë iu kushtua mësimdhënies. Prej vitit 1965 punoi si pedagoge e jashtme pranë Institutit të Lartë të Arteve, duke kaluar nëpër duar emrat më në zë të operistikes shqiptare.

Gjatë aktivitetit të saj në TOB ka realizuar me shumë sukses një numër të madh rolesh kryesorë nga operat e kompozitorëve shqiptarë dhe nga literaturë botërore, po gjithashtu edhe një sërë koncertesh me një repertor të pasur dhe të larmishëm si brenda vendit, ashtu edhe jashtë Shqipërisë, si në Çekosllovaki, Rusi, Lituani, Ukrainë, Letoni etj. Disa nga rolet janë:

1958 – Rosina në operën “Il Barbiere di Seviglia”;

1959 – Norina në operën “Don Pasquale”;

1960 – Drita në operën “Pranvera”;

1961 – Tatjana në operën “Eugenji Onjegin”;

1961 – Olimbia, opera “Lulja e Kujtimit”;

1962 – Susana, opera “Le nozze di Figaro”;

1962 – Michaela, opera “Carmen”;

1964 – Leila tek “Peshkatarët e Perlave”;

1964 dhe 1972 – Violeta tek “La Traviata”;

1964 – Neda tek “Pagliacci”;

1964 – Borëbardha në operën “Borëbardha”;

1964 – Gilda tek verdiania “Rigoletto”;

1968 – Donika tek “Skënderbeu”;

1971 – Mrika në operën “Mrika”, Mimi në operën “La Boheme” etj.

Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, ndër të cilët me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të II, titullin “Artiste e merituar”, Çmimin e Parë në Festivalin e Romancës si dhe titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.  

Burimi:wikipedia / http://www.shqiptariiitalise.com/ dhjetor 2011 / ALVA – Manjola Perja