“Shqiptarë! Mblidhuni në krahë të mirësisë! Ideali ynë duhet të jetë madhështia dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.” Mid’hat Frashëri

Dëshmitarja e gjithë jetës së shqiptarit është kënga që nga ninullat, këngët e kreshnikëve, baladat etj. e deri te vajtimet mortore. Fryma kombëtare shqiptare është ushqyer edhe nga poezi të panumërta për flamurin, atdheun dhe gjuhën. Kategoritë themelore të etikës së shqiptarit mbeten nderi, dinjiteti, respekti, mirësjellja, mikpritja etj., norma këto të përcaktuara nga trashëgimia dhe amaneti i të parëve tanë. Çdo popull dallohet nga popujt e tjerë, nga tradita e veçantë dhe morali që e karakterizon e cila ndikon në këndvështrimet e reja që i dalin përpara. Trashëgimia kulturore për kolosin e kulturës kombëtare S. Malëshova materializohet në moralin shoqëror:“Edhe ne shqiptarët, si të gjithë popujt e tjerë, kemi sot për sot atë moralin tonë shoqënor, që ndonji herë jemi mundue me e bamë kombëtar. Kështu pra edhe ne kemi disa parime të vjetra e të qëndrueshme që rregullojnë jetën tonë si popull, kemi zakone e mentalitete që i mbajmë si tonat, që drejtojnë udhën e cakun e qëllimeve të përbashkëta si kolektivitet, kemi veti të posaçme me popujt e tjerë.”

Kënga për Ernest Koliqin është “dëshmitarja e të gjithë jetës së shqiptarit që nga ninullat e deri te vajtimet mortore. E gjithë jeta e shqiptarit, zhvillohet në vrazhdën e pandërpreme të këngës, e cila ka skalitur me ritmin e saj çastet ma të spikatuna”. Në viset shqiptare ekziston një respekt gati shekullor shenjtërues për këngët e kreshnikëve, të cilat, përveçse vlerësohen si trashëgim i historisë, por konsiderohen edhe si amanet i të parardhësve. Morali i ushqyer ndër breza në familje dhe fis, si pjesë e traditës i ka bërë shqiptarët të jenë të fortë në përballimin e sfidave dhe problemeve të ndryshme. Fillimisht për krijimin e identiteve kombëtare, zakonet shqiptare, janë gjykuar të denja për të ngjallur interes si gjurmë të kulturës stërgjyshore dhe simbol të atdheut. Traditë kjo, e cila mendohet edhe sot e kësaj dite të ketë rol drejtues dhe orientues. Fryma kombëtare atdhetare është ushqyer dhe vazhdon ende të ushqehet nga poezi, këngë dhe krijime për flamurin, atdheun dhe gjuhën. Tradita është gurë themeli i palcës kurrizore të kombit shqiptar. Vetë kuptimi i fjalës atdhe, mbart lidhjen e dashurisë për truallin e të parëve tanë. Zef Valentini shkëputjen e vetëdijshme të shqiptarit nga socialja nuk e shihte me sy të mirë. Për të, ishte domosdoshmërisht e nevojshme që shqiptari ta donte atdheun duke menduar për të mirën e përbashkët mbështetur në potencialin e vet individual tek virtytet më të mira. “Duhet m‘e dashtë e me i vjeftë atdheut jo vetëm për vetvedi, por edhe për tjerë e m‘e shikue si banesë të mbarë popullit e si pasuni botrore. Me dashtë atdheun don me thanë me shti në punë dijen e pasunin me aq mjeshtri sa qi të sjellin vedit e tjerve dobi jetësore, me i dhanë shkas përparimit të vërtetë, i cilli pshtetet në punë të padame e n‘ushtrim të të gjitha vyrtytevet.”

  1. TË VEÇANTAT DHE TË PËRGJITHSHMET NË TIPOLOGJINË E SHQIPTARIT

1.1 Tipare antropologjike, antropometrike, sociale, psikologjike të shqiptarit; mendësia e tij.

Studimet dhe botimet rreth tipareve antropologjike, antropometrike, sociale, psikologjike të shqiptarëve, u përkasin studiuesve vendas, të huaj si dhe bashkëpunimit midis tyre. Studiuesit duke u mbështetur në të dhënat ekzistuese i kanë klasifikuar shqiptarët si pjesëtarë të racës adriatike dhe tani vonë quhet raca dinarike. Antropologët e kanë klasifikuar këtë grup i brakicefal, që në çdo gjuhë do të thotë se këto njerëz kanë zakonisht kokë të rrumbullakët ose jo të zgjatur. Në përmbajtjen e tyre, ata kanë të bëjnë me tipin antropologjik të shqiptarëve, antropogjenetikën, arkeologjinë, auksologjinë, etnologjinë dhe aspekte të tjera të antropologjisë kulturore dhe linguistike. Çdo kush prej nesh, lexues, folklorist, historian apo studiues qoftë duhet tja dijë për nder poetit Gjergj Fishta, i cili tek poema “Lahuta e Malësisë” ka lënë një pasqyrë të shqiptarit, të përshkruar nga goja e dëshmitarëve të asaj kohe. Fishta ka mundur të bëjë skicën e parë detajuese më së shumti antropometrike nëpërmjet përshkrimeve të personazheve të tij.

…. Burrë çufrrok, por burrë çengèl,

Me do flokë ngrehë kaçarrel,

Porsi kreshtë derrit bugár,

Synin gjarpen, mledhë kulár,

Balli i tij nji fushë mejdanit,

Syni i tij agzot havanit,

Shtati ardhë si shtî bajrakut.

Sipas Konicës, dy tipa njerëzish gjendeshin kudo në Shqipëri: tipi i shkurtër brun dhe tipi shtatlartë flokëverdhë. Ndërsa sipas disa albanologëve, shqiptari karakterizohej nga këto tipare antropologjike e antropometrike: balli i lartë, goja e vogël, dhëmbët shumë të rregullt, por që i prisheshin shpejt, hunda e drejtë, me përjashtim të viseve verilindore, ku mjaft njerëz kishin hundë shqiponjë. Shqiptarët janë cilësuar: “të gjallë, të qeshur, të shkathët; krenarë, trima, bujarë, të ndershëm, njerëz të fjalës dhe shumë mikpritës.”

At Zef Pllumi, në kujtimet e tij shprehet se: “Në shkrimet e Françeskâjvet, jeta shqiptare jo vetëm nisë m’u pasqyrue me shfaqet e me zhvillimet e veta mâ karakteristike, por m’u pistallë e me admirue vetveten. Shqiptari me mendesín e vet plot kontraste, tash krenar e tash i shtruet, herë i rrëmbyet në shkase bujarije dhe herë i ngujuam në paragjykime të dâmshme, këtu gati me dhanë jetën për t’i ndêjun besnik nji tradite stërgjyshore aty gati me prishë vetin e fisin për një trill idhnak, hov i ngutëshëm e i kadalshëm pa mendue mirë ku lypet ngutsija e ku kadalija, guximtar e i matun, kryekcyeme i urtë, del i pikzuem për mrekullí në vepra të Françeskâjvet. E pikzohet me fjalët e frazet e veta, ta daluna nga goja e tij me urime e nâmë të veta, me të tanë helmin dhe të tânë mjaltin qi i prodhojnë ndiesít tornuese në shpirt. Kjo mënyrë të përftuesi artistik sjellë në letrësì t’onë nji stinë të ré qi bân me lulzue vepra origjinale, ndër të cilat jo vetëm populli ynë shef typaret e fytyrës së vet të vertetë, ashtu si âsht, ashtu si e falë Perendija, por edhe nisë të shijoje gjuhën e vet qi aty ndëgjon thjeshtësisht të përdorun”.

Historiani Callan shprehet: “Shqiptarët janë të gjallë, të qeshur, të shkathët, i kapin shpejt gjërat; të ndershëm, besnikë, njerëz që mund të mbështetesh tek ta pa frikë, që i dallon mirësjellja dhe ndjenja e pavarësisë. Një racë fisnike e vjetër, besnike, e virtytshme dhe mikpritëse, duke i karakterizuar si njerëz që i kapin gjërat shpejt.” 

Gjykimi i publicistit Mehdi Frashëri tenton analiza socio – antropologjike, duke u shprehur se: “Typi shqiptár përgjithsisht âsht i squet kahë mendja edhé mjaft intuitiv ase derptues; njëmend se nuk mund e dijm mirë deri kû mund të mbërrijë zotsija mendore e shqyptarit, pse deri tash, nuk ká me mujtë me pasë nji trajtim ase edukatë të méndes në vështrim të plotë, por me gjith këta, shqyptari, kúr patë rast e shkas me i zhvillue fuqít e veta, duel në shêj e në zâ. Por edhe pa shkollë, shqyptari, në themel t’arsyes e kupton mâ së miri pozicjonin e jetës. Ai e shprehë mâ së miri zotnimin e idés mbi tjerat veprime të nierit, kúr thotë: “Kush s’ká mend ká kambë”.

Referuar kohës kur jetonte publicisti Safet Butka megjithëse shumica e popullsisë shqiptare ishte rurale, katundari shqiptar, ishte mjaft i zgjuar. Bazuar kryesisht nga këndvështrimi i racës, gjuhës dhe virtyteve stërgjyshore, katundari qëndronte tepër lart: besa, nderi dhe burrëria arbërore mbaheshin prej tij më mirë se prej qytetarit, që kishte kontakte me të huaj. Shqiptari është dalluar si individ edhe e ka treguar veten si një racë superiore. Konstatim ky që nga koha e shkrimtarëve të vjetër, kryesisht atyre latinë që kanë qenë në marrëdhënie më të shpeshta e të vazhdueshme me ilirët. Sipas të cilëve shqiptarët kanë qenë një komb fisnikërisht i bukur dhe i zhvilluar, trim dhe i zgjuar, besnik dhe luftëtar. Shqiptarët janë dashamirës të artit dhe kulturës dëshmuar këto nga rapsoditë, teatrot, stadiumet, skulpturat, veshjet dhe sendet e gjetura në kështjellat dhe qytetet ilire. Ata ishin zejtarë të zotë, por edhe tregtarë të palodhur. Edit Durham thotë se: “Shqiptarët e shkolluar janë tregtarë të shkathët (të zotë) dhe të gjithë kanë individualitet të theksuar.” Shqiptarët kanë mirëkuptim për humor dhe meqënëse janë të zgjuar mundet të kalojnë kohën shumë bukur, në mënyrë inteligjente. Zgjuarsia e tij e bën shqiptarin ta arrijë qëllimin në një kohë të shkurtër dhe shumë herë pa mundim. Preferon respektimin, mbajtjen e fjalës, por më tepër ndëshkon dhe neverit mosmbajtjen e saj. Francezi Zharej do të na linte për shqiptarët shprehjen lapidar se: Nga thellësitë e historisë, kur ai ndoshta ka luajtur një rol të parë, shqiptari ringjallet nëpërmjet forcës së ndjenjave të pavdekshme.” Poeti i madh Gjergj Fishta në Konferencën e Paqes i vlerësonte shqiptarët të vjetër sa fosilet, sa stalaktitet e shpellave jehuese të maleve vigane, fjalë që buronin nga shpirti i çmuar i racës ariane.

1.1.1 Liridashës

Shqiptarët, ilirët, ashtu si vetë emri tregon ato janë të lindur të jetojnë të lirë, nuk e kanë pranuar asnjëherë robërinë, dhe për lirinë shumë vite kanë luftuar deri në vetëmohim. Suksesi i shumë luftërave që kanë zhvilluar i kushtohet dëshirës së madhe të popullit për liri. Shqiptari, plotësimin e nevojave të veta, e gjente sidomos në liri. Populli shqiptar ka qenë gjithnjë një popull kryesisht luftëtar dhe trim, por edhe kryengritës për liri. 

Lirinë e tij, shqiptari e njësonte me krenarinë e tij. Krenaria e shqiptarit shkon përtej përparimit kombëtar, përtej kauzave të mëdha atdhetare, vetëm e vetëm për “me zgjanue mushkënit n’ajr të kulluet të bjeshkëve dhe shpirtin në frymën e liris ma të plotë qi mund të gezojë njeriu në kët botë …  Përpara lirisë nuk dëshiron as jetën, para së cilës – e ban dekën si me le”. Përparimin shqiptari “e don dhe dishron, por jo tue e ble me humbjen e lirisë.” Meylan habitet aq sa edhe mahnitet me zakonet shqiptare. Ai shprehet se: “ata janë tepër të çuditshme dhe nuk kanë lidhje me ato të popullatave të tjera të Ballkanit. Shqiptari është i guximshëm, i pavarur, krenar për lirinë e tij. Ai, qoftë i krishterë qoftë mysliman kërkon të jetojë i lirë dhe i qetë në malet e veta.” Karakterin e shqiptarit si udhëheqës model e plotësojnë dhe faktojnë sukseset e realizuara nga vetë ai në fusha të ndryshme dëshmuar nga faktet të ndryshme historike. Shqiptarët kanë shkëlqyer dhe kanë bërë shërbime të larta pranë princave të Perëndimit, në Itali, Francë e madje deri në Flandër, ku ata shërbyen në trupat perandorake. Fotaq Andrea pohon “Shqipëria ka dhënë burra shteti dhe gjeneralë të mëdhenj”.  

Disa informacione rreth disa prej udhëheqësve shqiptarë:

  • 34 perandorët e Romës ishin me origjinë ilire: Diokleciani konsiderohet si njëri ndër reformatorët më të mëdhenj që ka njohur shoqëria njerëzore; Justiniani i Madh i Ilirisë mundi të ishte kompetent në shumë fusha: teologji, politikë, strategji ushtarake, art, arkitekturë, shkencë etj.;
  • Pirro ishte një nga gjeneralët më të shquar të asaj kohe, mbret i Epirit dhe i Molosisë,
  • 10 papët me origjinë iliro-shqiptare: Papë Klimensi I, Papë Piu I, Papë Eleutherus, Papë Urbani I, Papë Caios (Kai), Papë Gjoni IV Dalmati, Papa Pali IV (Karafa), Papë Sistus V – Peretti, Papë Klementi XI dhe Papë Klementi XII;
  • Kryeheroi, kryeprijësi Gjergj Kastriot Skënderbe i dha emër kombit të arbërit, si udhëheqësi më i lavdishëm në periudhën më të vështirë të historisë shqiptare, duke sjellur revolucion në kohën e tij në modelin e udhëheqësit, në zhvillimin e strategjive të ndryshme dhe të aftësive të tij të jashtëzakonshme në aspekte shumëdimensionale;
  • Turqia është drejtuar nga 38 kryeministra shqiptarë. Pa llogaritur nivelet e tjera drejtuese, që dëshmojnë për aftësi dhe elemente të karakterit të një populli, megjithëse jo i madh në numër por nga ku shumë të tjerë prej tyre kanë qenë vezirë, pashallarë, jenicerë, arkitektë, enciklopedistë, rektorë, poetë, komandantë, që përbënin trupat më të mira të Turqisë etj.;
  • Franca e Luigjëve dhe Bonapartëve ka gjetur stratiotët e vijës së parë apo gardën pretoriane;
  • Mbretëresha Teuta vepra dhe lavdia e së cilës ka triumfuar ndër shekuj;
  • Motrat Qiriazi që gjithë jetën ia kushtuan emancipimit të grave shqiptare,
  • Sabiha Kasimati gruaja e parë shkencëtare shqiptare etj.

Figura të shquara globalisht pas viteve 90’

  • Nënë Tereza është e para shqiptare e shpallur shenjtore nga Papa Françecku, njihet si e tillë nga Kisha Katolike dhe nderohet në të gjithë botën si simbol mirësie e mëshire për të varfrit;
  • Ferid Murataj është vlerësuar me Çmimin Nobël për mjekësi dhe fiziologji në vitin 1998 për zbulimin lidhur me zbatimin e oksidit nitrik si molekulë sinjalizuese në sistemin kardio-vaskular;
  • Erald Dervishi kampion botëror i shahut, mban titullin “Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar” i shahut, i akorduar nga Federata Botërore e Shahut FIDE.
  • Majlinda Kelmendi kampionia e disa çmimeve botërore dhe evropiane në xhudo e shumë të tjerë.

1.1.2 Besa

Dukuria e besës ndër shqiptarë, prezanton vlerat më madhështore etike, fetare dhe shpirtërore. Kjo dukuri mbart në vetvete vlerat më të larta morale të shqiptarit, vlerat e vërteta, me të cilat shqiptarët, sidomos në të kaluarën, shquheshin nga popujt e tjerë. Me kultin e besës lidhet kulti i fjalës së dhënë, ose i quajtur ndryshe kulti i nderit. Besa është testamenti moral i shqiptarëve qysh prej periudhave mitologjike. Në shumë raste përkthimi prej gjuhës shqipe, fjala besë, trajtohet si dukuri e botës shqiptare, pra si albanizëm.

Besa – Beslidhja, dmth fjala e nderit, fjala e dhënë për diçka të rëndësishme, për ta realizuar me çdo kusht detyrimin që merret përsipër, e urtëzuar në fjalët e urta: “Besa e burrit si pesha e gurit”, “Besa e shqiptarit si purteka e arit”. Kulturologu Sami Frashëri, e ka përmbledhur kuptimin e saj duke u shprehur se: “Besa e shqiptarit është dhe ka qenë kurdoherë e ditur dhe e dëgjuar në gjithë botën. Besën që e jep shqiptari nuk e merr prapë, nuk e prish, por e mban derisa të ketë një rektimë shpirti n’trupin e tij”.

Mbrojtja që shqiptarët u bënë hebrenjve nga holokausi, lidhet pa dyshim edhe me Besën. Sipas Xhesen Uilliams, producent i filmit dokumentar “BESA”, shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët “është ndër ato historitë e jashtëzakonshme, të cilën … pjesa tjetër e botës s’e ka dëgjuar kurrë. Është ndër ato histori që duhet treguar…”. Besa edhe pse ishte një akt juridik i pashkruar, Gjeçovi e trajton si akt juridik, normativ i ligjit ekzistues, akt që ka mbijetuar nëpër shekuj. Shqiptari ka treguar se atdheun e ka vendosur para besës. Në këtë mënyrë, besa është baraz me nderin dhe mbrojtjen e tij. Shqiptari qoftë mysliman, ortodoks apo katolik mbetet gjithnjë shqiptar. Besa nuk ka sjellë e nuk sjell kurrë ndarje e përçarje midis tyre. Për Shtjefën Gjeçovi besa funksionon në bashkëveprim me fenë, punën, kujtesën dhe dëshirën për shqiptari dhe thotë:“Buka, miku e besa, Zotni janë tri punë, pa të cilat një Shqiptar, s’ka ku shkon bân të gjallet …”

1.1.3 Tradita fisnike e mikpritjes shqiptare

Tradita fisnike e mikpritjes shqiptare ka kult mikun dhe e nderon atë tej mase. Shumë udhëtarë, vizitorë të huaj që kanë njohuri rreth gjuhës shqipe dhe kanë jetuar gjatë në Shqipëri, pohojnë faktin për: besnikërinë, mikpritjen, trimërinë, vetëdijen e shqiptarëve dhe zgjuarsinë e tyre të jashtëzakonshme. Shqiptari kërkon miqësi, ai e do tjetrin, ndihet mirë në praninë e tij. Karakteri i shqiptarit është i prirur ndaj miqësisë. R. Steinmetz, në rend të parë vë mikpritjen, duke e konsideruar si më të madhen ndër ballkanasit. Për të tre udhëtarët, tregtarë, Gravier, Grisebach dhe Guicciardini në rend të parë del krenaria dhe mikpritja e shqiptarit. G. Baldaci ka evidentuar një ndër elementet autentikë dhe etnikë të shqiptarëve, mikpritjen, ai i konsideron të gjithë shqiptarët mikpritës.

Degrand, e trajton mikpritjen, si diçka shumë të këndshme e madhështore të shqiptarëve: “… vetëm shqiptari, ndoshta, nga tërë popujt e Evropës, ka përshkruar historinë dhe ka mbetur i ngjashëm me vetveten”.Shqiptari mikun e pret mirë; me të është shumë i zgjuar, i urtë, i matur, ka dinjitet dhe ishte krenar. E ruan nderin familjar dhe ka dashuri të veçantë për familjen e vet.”

1.1.4 Mirësia e shqiptarit

Shqiptari është sa shqiptar dhe solidar. Shqiptarët kanë një ndjenjë shumë të mprehtë për solidaritetin e pastër. Ata njihen tashmë që prishën realizimin e planit nazist gjerman për internimin në Gjermani të ushtrisë italiane dhe hebrenjve të cilët u strehuan në vendin tonë. Pas luftës së II-të botërore u riatdhesuan të gjithë ushtarët italianë. Gjatë eksodit të vitit 1999, si pasojë e konfliktit të ish Republikës Federale të Jugosllavisë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, NATO-n dhe ushtrinë tokësore të Shqipërisë, u shpërngulën me dhunë nga shtëpitë e tyre, mbi një milion kosovarë, të cilët u pritën nga e gjithë Shqipëria, pjesa më e madhe e tyre u mikpritën dhe u strehuan në Kukës. Për këtë arsye në vitin 2000 Kukësi u kandidua për Çmimin Nobel për Paqe me motivacionin e pritjes së mbi 450.000 shqiptarëve nga Kosova të dëbuar nga ushtria, paraushtarakët serbë dhe serbët e armatosur në Kosovë.

Solidarizimi i shqiptarëve shihet edhe në ditët e sotme, gjatë sensibilizimit dhe përfshirjes së tyre në mbledhjen e ndihmave të ndryshme për familjet në nevojë, sikurse edhe organizimin e nismave dhe aktiviteteve me qëllim sensibilizim dhe përmirësimin e jetës së familjeve në nevojë.

1.1.5 Familja dhe gruaja

Shqiptari ka kështjellë mbijetimi e qëndresë të tij vetëm familjen.  Me familjen dhe fisin janë të lidhur shumë. Imazhet e fiksuara në objektivin e aparatit fotografik nga Degrand sot përbëjnë një

një pasuri të jashtëzakonshme etnografike dhe dëshmojnë tipologjitë e caktuara njerëzore, që i përkasin kombin tonë. Gratë shqiptare janë shumë të bukura dhe shtatgjatë, shumë punëtore dhe familjare, sa patriote aq edhe atdhetare.

Edhe Koliqi, thekson se roli i femrës, i gruas edhe tipi i grues shqiptare, vizatohet me pastërti linjash në kangën popullore. Nëpër rapsodi shfaqen figura-model nanash, motrash e bashkëshortesh, ruejtse besnike të idealeve familjare. Nga ana tjetër, ndër kangët e dashnisë lëvdohet me ndjeshmëni e andje të gjallë, por ma shpesh me dridhjet e një lakmie delirante, gruaja si burim gëzimi e kënaqsie.”

1.1.6 Nderi dhe Kanuni

Shqiptari e vlerëson mjaft nderin dhe ka kultin e ruajtjes së tij, që sikundër thotë Guicciardini: “Mikpritja është një çështje nderi; përgjithësisht nderi luan një rol të dorës së parë në kodin e tyre.” Mbi bazën e kanunit ndërtohej e ndryshohej morali. Kanuni shpreh ekzistencën e një jete urbane qytetare dhe të një ndërgjegjeje bashkësie të hershme. Ai ishte edukata dhe ndërgjegjja juridike e malësorëve, zgjedhja e përbashkët e mënyrës së jetesës. Sipas Prof. Dr. Ismet Elezi kanunet pavarësisht se kanë vepruar në kohë e hapësirë të ndryshme, kanë një nënshtrat të përbashkët, janë pjesë përbërëse e Kanunit mbarëpopullor shqiptar, i cili mbijetoi e përballoi stuhitë e pushtimeve të huaja gjatë shekujve. Kanunet dëshmojnë lashtësinë e popullit shqiptar, kulturën e tij në përgjithësi dhe atë juridike në veçanti, si dhe unitetin e pandashëm të kombit tonë në trojet e tij ilire. Kanunet janë dhe do të mbeten si monumente historike të vlerave kulturore të popullit shqiptar, pasqyra të historisë dhe të karakterit të tij fisnik.

1.1.7 Besimi

Shqiptari ka një mënyrë aristokrate të jetuari dhe të menduari. Lord Bajroni, shpesh shprehej se: “I dua shqiptarët, nuk janë të gjithë myslimanë; disa nga fiset e tyre janë të krishtera. Por, feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet e tyre”. Shqiptari mbetet në thellësi të zemrës i lidhur me praktikat e vjetra tradicionale me besimet e lashta që përbejnë bazën fetare të shpirtit të tij kombëtar. Besimin fetar shqiptarët e shohin më shumë si çështje shpirtërore dhe më pak si shprehje e vetvetsësisë. Para se me u ndie myslimanë a të krishterë, ata ndihen shqiptarë.

1.1.8 Atdhedashuria, Kombi dhe “Shpresa tek vetja jonë”

Sipas shkencëtarit të niveleve botërore Sami Frashëri është vërtetuar se kombi shqiptar është njëri nga degët më të lashta të kombeve të Azisë dhe Evropës të quajtur “Aria”. Gjuha shqipe është  degë e drejtpërdrejtë e gjuhëve të vjetra ariane dhe se ky popull kryesisht ka ardhur nga Azia Qendrore në Evropë, ashtu si popujt e lashtë të tjerë arianë. Referuar studimeve të ndryshme vihet re se mënyra e jetesës së shqiptarëve nga koha e ilirëve, pellazgëve deri në ditët tona nuk ka ndryshuar sepse ato gjithnjë kanë jetuar të ndarë dhe të vetmuar nga popujt e tjerë. S. Frashëri thekson dhe ngre lart kriterin më të rëndësishëm për vlerësimin e njeriut në Shqipëri, dashurinë për atdhe. Dashuria e njeriut për kombin është sikurse ajo ndaj prindërve, nënës apo babait. S’ka gjë më me vlerë sesa kombësia. Shqiptarët, më shumë se çdo komb tjetër, e duan dhe e nderojnë kombin dhe mëmëdhenë e tyre. Një shqiptar i vërtetë nuk mund të durojë e të dëgjojë njeri t’i shajë shqiptarinë. Kombi për të qëndron i pari. Nëse nga bindjet fetare është mysliman, ortodoks apo katolik, ai mbetet gjithnjë shqiptar.

Shqiptarët nga stërgjyshërit e tyre i kanë të trashëguar ruajtjen e dokeve dhe moralin, nderin dhe krenarinë, si edhe çështjen e mbajtjes së premtimit që e quajnë “besa”. Ata janë të gatshëm gjithnjë të japin jetën e tyre për mbrojtjen e kombit, fisit, familjes, madje dhe vetëm për të ruajtur fjalën e tyre të dhënë.

Patriotizmi i Sami Frashërit shprehet qartë edhe në formulimin e argumentimin e parimit se “shpëtimi i Shqipërisë është në dorë të shqiptarëve”. Duke cilësuar më tej se besa e cila deri më sot i ka nderuar shqiptarët, po ajo besë do i shpëtojë ato nga të gjitha rreziqet që i cënojnë. Çdo shqiptar duhet të bashkohet, të lidhi besën, një besë të përgjithshme, si qëllim të ketë bashkimin e tërë Shqipërisë. Thirja e tij i drejtohet çdo shqiptari, se duhet të lerë armiqësitë, hatërmbetjet të cilat i mundojnë, dhe të harrojnë kush të marri hak por, le ta dhurojnë atë, sepse gjaku i shqiptarit është shumë i çmuar. Përse të vritemi, kur të bashkuar jemi më të fortë. Shqiptarët të bashkuar dhe me një besëlidhje të fortë, janë më të fuqishëm sikurse edhe të suksesshëm. Për këtë arsye ju drejtohet me fjalët: “O burra-ni, o shqipëtarë! Zihuni me të dy duart në besët, në lidhjet e në bashkimt, se kjo do t’ju shpëtonjë! Jo po në mos, mi të humburë. Mos vështoni bes’ e fe: myslimanë, katolikë, orthodhoksë, gjithë shqipëtarëtë, sa jan’ e tek janë, janë vëllezrë. Gjithë duhetë të bashkohenë nënë flamurit të shënjtuarë të Shqipërisë!!!”

Sami Frashëri në platformën e tij drejtuar shqiptarëve do të ngrejë lart forcën e ndërgjegjësimit të njeriut, e cila gjendet te vetë shqiptari. Shumë shqiptarë kanë qenë udhëheqës, shumica prej tyre kanë shërbyer jashtë vendit, i vetmi i cili ka dëshmuar që arriti ti bashkojë shqiptarët dhe mundi të kontribuonte për vendin e tij ishte Shkënderbeu. Fjalët e të ndriturit Sami Frashëri pohojnë se: “Shqipëtarëtë kanë punuarë gjithmonë për botënë e jo kurrë për vetëhe. Vetëm një Skënderbe ka punuarë, në kohërat të shkuara, për Shqipërinë e vetëm ay është me të vërtetë mburje për Shqipërinë.” Lumo Skëndo shprehet: “Kemi vend të bukur, jemi njerëz të mirë, kemi veti të pëlqyera, jemi zemërbardhë dhe gjithë të huajt (përvec halldupëve), kur na zënë në gojë, na lavdojnë. Po kemi një të metë të madhe, që s’duam veten tone.”

Pjesë e ciklit të jetës është riciklimi, si dhe procesi i ripërtëritjes, ndryshimit zhvillimit etj. Duke ndjekur hapat e këtij procesi njeriu që të jetë pjesë e botës për më të mirën e tij dhe vazhdimësisë së botës duhet të përshtatet me kohën në varësi të nevojave të tij primare, nëse këto nevoja mundësojnë ndryshimin drejt asaj që çdo kush prej nesh kërkon, ndryshimin drejt më të mirës, për më të mirën. Kjo vjen duke nisur nga vetja jonë. Hapi i parë i ndryshimit kur ne ndryshojmë për më të mirën tonë, bazohet te mirësia jonë. Shpresa jonë është vetja jonë. Mid’hat Frashëri e thekson këtë duke u shprehur: “Çdo gjë në këtë botë ndërrohet dhe ndryshohet, dheu, qielli. Njeriu që të mund të rrojë mirë, duhet që të ndërrojë mënyrën e të jetuarit dhe mënyrën e mendimit: duke ndryshuar koha, duhet që edhe njeriu të vejë pas nevojave të saj. Sa gjë e madhe, sa gaz shpirti është për njeriun të jet’ i fortë dhe të ketë besim të vetja e tij! Dua që besimin ta kemi te vetja jonë, dua që ta presim të mirën prej vetes tonë. Të shpresojmë vetëm nga vetja jonë.”

Shpresa mbahet me punë dhe ideal. Entuziazmi vjen prej dëshirës së fortë, prej dashurisë, prej vullnetit e dëshirës. Njerëzit e një kombi duhet të jenë solidarë, këtë fakt e thekson edhe atdhetari mendjendritur Mid’hat Frashëri: “Njerëzit e një kombi janë solidarë. E mira dhe lumturia jote, janë dhe të miat. Fatkeqësia jote është dhe për mua. Nderi yt më nderon edhe mua dhe turpi yt më nxin edhe faqen time.” Për më tej shtrohet edhe pyetja: Cili duhet të jetë ideali ynë,  që i referohet veçse thelbit të madhërimit të figurës së shqiptarit dhe bashkimit të kombit për atë më kryesoren përparimin e tij të përgjithshëm. “Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm. Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha luftërat sapo të kenë përfunduar betejën e fundit mes tyre.”

“Shqiptarët janë trima, të mençur, punëtor, të zotë për çdo punë”, këto fjalë të thëna nga ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare atdhetari Sami Frashëri vërtetojnë atë për të cilën ne pohojmë edhe sot në vitin 2019, sukseset dhe zotësitë e shqiptarëve si brenda dhe jashtë Shqipërisë. E dëshmojnë çmimet e fituara nëpër olimpiada të ndryshme evropiane apo botërore nga të rinjtë shqiptarë në fushën e matematikës, fizikës, dhe më tej me shkencëtarë, teknicienë, tashmë inxhinierë të njohur edhe në fushën dixhitale, veç fushës së artit dhe sportit, të gjitha këto faktojnë se fisnikëria shqiptare, ekziston.

Konica shkruan “Në qoftë se në Shqipëri, bukuria është e përbuzur edhe e shqelmuar, s‘ka dyshim se fisnikëria, një nga virtytet e vjetra të kombit shqiptar është e gjallë dhe merr një fuqi të re nga shembulli i Atij, që duhet të jetë edhe është pasqyrë e mirësive të shpirtit e të sjelljeve” dhe Sami Frashëri përmend“Gjithë shkronjësit e Evropësë kanë shkruarë kurdo mirë, për na; na dinë trima e burra të besësë, na njohinë si më të vjetërinë komp t’Evropësë e më të fisçiminë.”  të shkruara këto para më shumë se 100 vite.

  1. PËRFUNDIME

Në ditët që po jetojmë si rezultat i shumë studimeve të bëra janë konstatuar shumë cilësi të mira të karakterit të shqiptarit ruhen ende në gjenezën e tij. Këto të faktuara me ngjarje konkrete si: studime, raste të dëshmuara dhe publikuara në media të ndryshme sociale apo televizive. E veçanta e tyre qëndron që përveç aspektit individual të përfshirjes dhe solidarizimit në përkrahjen e zgjidhjeve të problematikave të ndryshme sociale, reagimi nga publiku ka qenë i menjëhershëm, në raste të veçanta edhe nga vetë shteti.

Ky “Kuvend Mbarëkombëtar”, gjithashtu është dëshmi se në gjakun e shqiptarit dëshira e mirë e tij për të ndryshuar ekziston. A mundemi ne të përforcojmë këtë ndryshim ta faktojmë që brezave të rinj t’ju lejmë një stafetë të përmirësuar në mendësi dhe veprim duke ju konfirmuar se populli shqiptar është fisnik e do atdheun, shqiptarin, veten dhe mikun? Koha ka treguar se ne shqiptarët megjithëse kemi kaluar shumë vështirësi të imponuara nga faktorë të ndryshëm gjeo-politiko-ekonomiko-social, kjo gjë nuk na ka penguar të ndihmojmë dhe ti jemi pranë njëri-tjetrit. Përkundrazi sot kjo duhet të jetë një nxitje mirënjohje e thellë ndaj këtij virtyti të çmuar që jeton tek ne, dhe duhet ta promovojmë duke e evidentuar atë gjithashtu si një nga cilësitë më të bukura fisnike që ne kemi, mirësinë.

Të qenurit mirënjohës për kontributin e shumë patriotëve tanë si brenda dhe jashtë vendit si dhe ndaj shqiptarëve për të mirën e vendit tonë mendoj se është më e madhe se pjesa tjetër e moskontributit. Nëse ne reklamojme më shumë atë pjesë që nuk na shërben, kjo mundëson automatikisht ti atribuojmë një vlerë të pavlerë dikujt apo diçkaje që nuk e meriton. Nëse ne do punojmë më shumë që në mendësinë tonë të rritet ndërgjegjësimi rreth vlerave më të mira fisnike të shqiptarëve, çdo gjë do të kishte prirje drejt më të mirës.

Kur mes nesh do të rritet më shumë fokusi nga mirënjohja ndaj kontributit të shqiptarëve për të mirën e shqiptarit dhe atdheut tonë, ky do ishte proçesi i hapave të para të bashkimit mendor dhe shpirtëror shqiptar në përkrahje drejt më të mirës. Nëse ne do përpiqemi të ndryshojmë këtë mendësi në aspektin më të mirë të mundshëm, kjo nismë do i atribuohet të ardhmes më të mirë të vendit tonë. Faktorë të ndryshëm na tregojnë që mendësia jonë individualiste është e theksuar, por kjo nuk mundet të na penalizojë që ne ta përdorim këtë mendësi në më të mirën e mundshme në shërbim të zhvillimit të vendit tonë ashtu sikurse kanë bërë të tjera vende para nesh. Të qenurit të vetëdijshëm që e mira e tjetrit është në shërbim tim, ashtu sikurse e keqja e tjetrit do jetë në dëm tim, do na mundësojë të hidhet hapi gjigand i ndryshimit të një mendësie shumë shekullore, të hapet një etapë e re në kontribut të së ardhmes, të vendit tonë, këtë mundësi e kemi ne ta bëjmë tani.

Ky Kuvend është një “Ridimensionim – Rilindje e Dytë Kombëtare” për të vazhduar nën gjurmët e të parëve tanë si dhe për të ruajtur atë platformë vlerash që solli “Rilindja Kombëtare”. Vazhdim i një stafete të nisur para më shumë se 100 viteve me koncepte konkrete të përbashkëta dhe të përmirësuara, por duke ruajtur në thelb atë platformë vlerash që solli “Rilindja Kombëtare”, në aspektin e një mundësie në krijimin e një mendësie të re, mbështetur po në genin tonë fisnik shqiptar. Ndryshimi në aspektin pozitiv do mundet të nisi, të mendohet, të planifikohet sikurse edhe të realizohet vetëm nga ne vetë shqiptarët. Stafeta e ndërgjegjësimit dhe zgjimit të shqiptarëve nga gjumi shekullor do mundet të bëhet e mundur si hapje e shumë sfidave të tjera të ndryshimit në tipologjinë, mendësinë shqiptare vetëm në aspektin më të mirë të mundshëm sikurse është ai pozitiv. Të jemi më pozitiv ndaj pranimit dhe respektimit, përballë një mendimi ndryshe, në rastet kur ai nuk na dëmton. Koha ka treguar se mendësia gjaknxehtë shqiptare ka pasur deri dëmtim në humbje jete njerëzish sikurse edhe po kjo mendësi ka krijuar raste të zhvillimit ku janë falur gjaqe siç është rasti me prof. Anton Çetta “Babai i pajtimit të gjaqeve” e shumë raste të tjera, që tregojnë se një person vetëm nga dëshira e mirë mund të bëj shumë gjëra të mira kur atë e përkrahin shumë të tjerë. Sikurse po ndodh me këtë Kuvend.

Nëse Kuvendi do nisej nga 1, 2 vetë apo më shumë, pa përkrahjen e të tjerëve s’do mund të kishte brenda forcën e kësaj kërkese që po parashtrohet në këtë Kuvend. A mundemi ne të përpiqemi të jemi përkrahës dhe mbështetës ndaj mirësive të veprave të suksesshme shqiptare, sesa për atë pjesë tjetër që neve nuk na nderon? A mundemi ne të promovojmë rastet e sa e sa mbështetësve, patriotëve, filantropëve më shumë se rastet e kundërta që na dëshpërojnë? A mundemi ne me këtë Kuvend ti ofrojmë një ftesë secilit prej nesh, duke nisur nga vetja, të përpiqemi të ndryshojmë dhe të pranojmë faktin se për hir të më së mirës, për një të ardhme më të mirë, në kontribut të pjesës dhe gjakut të shumë dëshmorëve, punës së shumë patriotëve ne të vlerësojmë atributet e pjesës më të mirë të shqiptarëve dhe atdheut? Sa e sa shqiptarë kanë shkrirë pasurinë e tyre për atdheun? Sa shqiptarë kanë dhënë jetën për lirinë e atdheut shumë pa fund, po a njihen ato me vlerën që i takon? Nëse deri dje nuk është bërë asgjë për këtë gjë, a mundemi ne të bëjmë diçka për të mos i lënë në heshtje këto vlera njerëzore fisnike që i ka gjaku arbëror, ilir, shqiptar? Nëse ne si komb, nuk e kemi pasur në traditë ti trumbetojmë, për shumë arsye, një edhe më interesantja sikurse është edhe ajo pjesë e mendësisë tonë modeste “të mirën time ma trumbeton tjetri, s’më takon mua ta bëj këtë gjë”. Duke reflektuar atë aspekt po shqiptar, që kur dikush e bën diçka të mirë nuk e bën që ta dijë tjetri, po e bën për të mirë të asaj që ajo e mirë duhet bërë.

Shumë vlera na i atribuojnë ne shqiptarëve, për të cilat vetë bota na ka shumë zili, sepse ja di vlerën, dhe ne duke qenë se i kemi a mundemi ne ti promovojmë, ti tregojmë si vetes edhe botës se ato ekzistojnë, sepse vlerat pozitive që ky popull “HERO” ka janë më të shumta sesa ato vlera të tjera kundërta me të cilat disa shqiptarë sot kanë frikë të thonë se janë shqiptarë nga padija e dritës së informacionit për këto cilësi dhe virtyte të mrekullueshme që ne kemi. Ky është momenti më i mirë me fakte konkrete reale ne të mundësojmë dhe të fillojmë me vetëdije të plotë të promovojmë vlerat më të mira shqiptare. Nëse ne do jemi më të ndërgjegjësuar në faktimin e veprave konkrete të fisnikërisë sonë, kjo do na ndihmojë që ne ti forcojmë këto cilësi. Vetë koha, puna, dëshira e mirë për të mirën do na çojë më përpara dhe shumë shpejt do na mundësojë të jemi shumë më afër drej zhvillimit cilësor. Bukuria e këtij vendi sikurse edhe vetë shpresa e tij nuk qëndron vetëm tek bukuritë natyrore të trashëguara, ndër shekuj, por qëndron te bukuria e gjakut fisnik, e cila flen brenda gjakut, vetes, ndërdijes tonë dhe ne duhet ta ndihmojmë që ajo të ndërgjegjësohet se shpresa jemi ne, vetja jonë. Duke respektuar punën e vetes dhe secilit prej nesh në të mirë të vetes, tjetrit dhe vendit, zhvillimi i vendit do mundet të jetë më i shpejtë ashtu sikurse edhe niveli i jetesës rritet më shpejt sepse shpresa për një jetë më të mirë rritet sikurse tjetri të bekon në mëngjes me fjalën e bukur mirëmëngjes, ju priftë e mbara, dhe këtij Kuvendi i uroj. JU PRIFTË E MBARA!

Ne jemi ato që mundemi të ndryshojmë të ardhmen tonë, duke u mbështetur tek më e mira e jona, tek fisnikëria e brendshme genetike shqiptare. Kjo padyshim në vlerën e vet është pasuria më e madhe që po i mundësojmë një brezi të ri, është koha për ndryshim për më të mirën e vetes dhe vendit tonë. Edhe individualistë të jemi, por të përpiqemi të jemi pa dëmtuar jo vetëm veten por edhe tjetrin, sepse duke menduar kështu shumë gjëra do ishin në ndihmë të një zhvillimi më të shpejtë si dhe të mënjanimit të një eksodi të largimit nga vetja. Njohja e atributeve të vlerave më të mira të vetes dhe vendit, në të njëjtën kohë edhe edukimi drejt një kulture të re në mendësinë tonë të vlerësimit të vlerave më të mira si dhe vlerësimit ndaj veprave më të mira këto në shërbim ndaj vetes, vendit, atdheut, na sjell shumë gjëra të mira të cilat na shërbejnë drejt një të ardhme më të mirë dhe pozitive dhe sigurisht të suksesshme në shërbim të më të mirës për atdheun tonë: SHQIPËRI, ARBËRI, ILIRI, ALBANOPOLI.

Nëse ne genetikisht si autoktonë jemi ndryshe  dhe si të tillë, të jesh ndryshe do të thotë je i bekuar në mendësi në mënyrën e të menduarit ndryshe, je i prirur të sjellësh ndryshim.

Sot në shekullin e 21 dhe vitin 2019, në kohën e globalizimit ne kemi mundësi të jemi vetvetja duke ju referuar më të mirës tonë, dhe vetëm asaj, duke u mbështetur vetëm tek gjaku, ndjesia e vlerave më të mira shqiptare ne do mund të çojmë përpara stafetën e të parëve tanë, dhe të kryejmë ato amanete për të cilat shumë dëshmorë kanë dhënë jetën, por dhe shumë të tjerë po punojnë me vepra konkrete për më të mirën e vendit. Me shprehjet e Lord Bajronit:“Shqiptarve s’u mungojnë vetitë  e mira shpirtërore, por duhej të ishin më të arrira”, dhe shkrimtarit Faik Konica: “S‘ka dyshim se fisnikëria, një nga virtytet e vjetra të kombit shqiptar është e gjallë dhe merr një fuqi të re nga shembulli i Atij, që duhet të jetë edhe është pasqyrë e mirësive të shpirtit e të sjelljeve”; uroj që ky Kuvend të jetë një ogur i mirë për të nisur një hap të ri i pari në këtë këndvështrim.  NA PRIFTË E MBARA!

 

  1. REFERENCA

Shpreh mirënjohjen për punën e çmuar të patriotëve, dashamirësve, albanologëve, studiuesve shqiptarë dhe të huaj të cilët me studimet e tyre, shkrimet shkencore, librat dhe botimet na kanë mundësuar që ky referat të realizohet si dhe për këshillat e vyera të Fatbardha Demi, Ing. Fredi Balaj dhe prof. as. ing. Sazan Guri. FALEMINDERIT!

  1. Konica, Faik. Op. cit. fq. 55.
  2. Sazan Guri 9.1.2 Karakteri shqiptar
  3. As. Ing. Sazan Guri, “Misioni i Shqipes dhe Shqiptareve”, Historia, Gjuhësia dhe Mendësia e Shqiptarëve në Syrin Inxhinierik.
  4. https://alva.al/perandoret-ilire-qe-udhehoqen-boten/
  5. Callan, sipas Midhad bej Frashërit te “Fati i shqiptarëve”, v. 2009.
  6. https://sq.wikipedia.org/wiki/Majlinda_Kelmendi
  7. Malëshova, Sejfulla. Artikuj dhe ligjërata, Shoqnia Shqiptare, Bashkimi, Tiranë, fq. 72.
  8. Malëshova, Sejfulla. “Roli i Kulturës në Shqipërinë e sotme, sipas Antologji e Mendimit Shqiptar”, fq. 892.
  9. Profesori universitar dhe hulumtuesi dr.Ferid Murati, me prejardhje nga Gostivari, ndërsa jeton dhe punon në Hjuston, Teksas, është fitues i Çmimit Nobël për mjekësi dhe fiziologji në vitin 1998 për zbulimin lidhur me zbatimin e oksidit nitrik si molekulë sinjalizuese në sistemin kardio-vaskular. https://alva.al/ferid-murati-shqiptari-i-cmimit-nobel-per-mjekesi-dhe-fiziologji/
  10. Koliqi, Ernest. Kritikë dhe estetikë, Hymje në lirikën shqiptare, fq. 28 – 29. Apollonia, 1999.
  11. Lambertz, Maximilian. Cirka 1938, nr. 37, fq. 5.
  12. Valentini, At. “Ndërgjegjja kombëtare”, Leka, 4, 1933.
  13. Boué, Ami. “Shqipëria në Turqinë Evropiane”, përktheu Angoni Ilirjana, Plejad, 2012, Tiranë, fq. 116.
  14. Henry Noel, Brailsford. “Macedonia, Its races and their future”, 1906.
  15. Dema, Alma. “Tipare të mendimit antropologjik shqiptar”, nga etërit françeskanë të neoshqiptarizmit.
  16. Godin, v. 1913, sipas Mit’had bej Frashërit, “Fati i shqiptarëve”, v. 2009.
  17. Konica, Faik. “Vepra 2”, Zgjedhur e përgatitur nga Nasho Jorgaqi, Botimet Dudaj, Tiranë, 2001, fq. 34.
  18. Ethnologie, XVIII, Berlin, 1901, Sitzungsber.
  19. Fishta, Gjergj. “Lahuta e Malcis”, Shtëpia Botuese Alb-Ass, Tiranë, 2001, fq. 228.
  20. Fishta, Gjergj. Op. cit. fq. 233.
  21. “Prej kah do të nisemi e kú do të kapemi?”, “Hylli i Dritës”, VI, 1930.
  22. Studiusi Siebert v. 1910.
  23. Franc Nopça, “Fiset e malësisë së shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre”, v. 2013.
  24. Nopcsa, Franz. “Udhëtime nëpër Ballkan: kujtime nga jeta e Franc Baron Nopça”, Plejad, Tiranë, 2007, fq. 326.
  25. Henry Noel Brailsford, gazetar anglez, i cili preku tokën shqiptare më 1906.
  26. Hyacinthe Hecquard (1814 – 1866), konsull francez, i cili kaloi gjashtë vite të jetës së tij (1853-1859), i në qytetin e Shkodrës.
  27. Letrari dhe studiuesi Frrok Kristaj, https://telegrafi.com/frrok-kristaj-keta-jane-dhjete-papet-me-origjine-iliro-arberoro-shqiptare/
  28. Studiesi Fredi Balaj, autori i librit “Simbolika e gwrmave”.
  29. http://dardaniasacra.njekomb.com/?p=19277 Mary Edith Durham(18631944) ishte një udhëtare, artiste, shkrimtare britanike që u bë e famshme për shkrimet e saj antropologjike rreth jetës në trojet shqiptare, në fund të shek  XIX dhe fillim të shekullit të XX.
  30. Frashëri, Mid’hat. “Fati i Shqipërisë”, fq. 9, v. 2009.
  31. Studiuesja Fatbardha Demi, autore e librit “Selenizmi, besimi që sundon botën”etj.
  32. Fjalime nga Fishta, Redaktoi dhe pajisi me shënime Tonin Shiroka, Shtëpia Bot. Uegen, Tiranë, 2009, fq. 7 f116.
  33. Pllumi, Zef. At. Op. Cit. fq 132.
  34. http://www.zemrashqiptare.net/neës/41182/mehmet-elezi-hebrenjte-dhe-republika-e-kanunit.html
  35. At. Albert Dumont (1773 1874) është ndër të parët albanologë, i cili sjell një panoramë krahasuese antropologjike mes shqiptarit, grekut dhe romakun.
  36. Auguste Meylan (1840 1897).
  37. Mid’hat Frashëri, Faik Konica, Branko Merxhani, Anton Harapi, Tajar Zavalani, Mehdi Frashëri, Vangjel Koça, Stavri Skëndo, Gjergj Fishta, Zef Valentini, Nebil Çika, Krist Maloki, Nonda Bulka e shumë të tjerë.
  38. Fotaq Andrea tek “Pena të arta franceze për shqiptarët”.
  39. https://sq.wikipedia.org/wiki/Pirro_i_Epirit
  40. https://sq.wikipedia.org/wiki/Teuta_e_Iliris%C3%AB
  41. Callan, sipas Mid’hat bej Frashërit te “Fati i shqiptarëve”, 2009.
  42. Indro Montanelli, “Vecchia e nuova Albania”, Milano, Garzanti, v. 1939.
  43. “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, Prishtinë 1981, fq. 126-128.
  44. Frashëri, Sami. “Shqipëria ç‘ ka qenë ç‘është dhe ç‘ do të bëhetë”. Bukuresht 1899, fq. 77.
  45. Anton Nikë Berisha, Njëmendësia e fjalëve (Mundësi interpretimesh letrare), Shpresa & Faik Konica, Prishtinë, 2006, Fq. 206 – 208.
  46. Mehmet Elezi “Hebrenjtë dhe Republika e Kanunit”.
  47. http://www.zemrashqiptare.net/news/41182/mehmet-elezi-hebrenjte-dhe-republika-e-kanunit.html
  48. Gjeçovi. Shtjefën, Op. Cit. neni 122, Shkodër 1933, fq. 83 – 85.
  49. R. Steinmetz, i cili vizitoi Shqipërinë tre herë në vitin 1904, 1905 dhe 1908.
  50. Gravier, viziton Shqipërinë (1913) pas A. Grisebach (1841) dhe F. Guicciardini (1901).
  51. Jules Alexandre Théodore Degrand, konsull i Francës në Shkodër në Kujtime nga Shqipëria e Epërme
  52. Koça, Vangjel. Op Cit. Fq. 93 – 94.
  53. Kronisti osman Hoxha Sadedin, sipas librit të Shyqri Nimanit, “Mehmet Ali Pasha, Kapedani Shqiptar që i ktheu Dinjitetin Egjiptit”, fq.17, v.201.
  54. Charls Vods. “Turqia dhe fqinjët e saj”. Paris, fq. 84.
  55. https://alva.al/shqiperia-shpallet-shtepia-e-jetes-per-hebrenjte/
  56. Ylli Polovina, Shqiptarët, Diamantët e pagdhendur, Shkrim në gazetën Shekulli.
  57. Koça, Vangjel. E drejta e mendjes, Kombi, 4, 1938.
  58. Koliqi, Ernest. “Hymje në lirikën shqiptare, Kririkë dhe estetikë”, Apollonia, 1999, fq. 28.
  59. Adelaide Gilette “Dillet Dufrenay ose Zonja Dyfrania”(1765 1825).
  60. Fq. 93, 215 – 221.
  61. Guicciardini, sipas Nopçes, v. 1901.
  62. Edith Durham, “Brenga e Ballkanit”, v. 1909.
  63. Nopça, sipas Shyqri Nimani, Mehmet Ali Pasha, Kapedani shqiptar që i ktheu dinjitetin Egjiptit, fq. 17, v. 2012.
  64. Fondacioni “Firdeus”, emisioni “Shqiptarët për shqiptarët”, “Fundjavë ndryshe”, https://alva.al/solidariteti-i-nismes-ndaj-kafshaten-beri-te-mundur-te-gezohen-qindra-familje-ne-nevoje-ne-pragun-e-festave-te-fundvitit-2018/
  65. https://alva.al/anton-cetta-babai-i-pajtimit/
  66. Mid’hat Frashëri, Fuat Bej Dibra https://alva.al/fuat-bej-dibra-patrioti-qe-shkriu-pasurine-dhe-jeten-per-ceshtjen-shqiptare/
  67. https://sq.wikipedia.org/wiki/Titulli_%22Hero_i_Popullit%22_n%C3%AB_Shqip%C3%ABri Adem Jashari, Azem Galica, Isa Boletini etj.
  68. Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Labërisë etj.