Jakov Milaj lindi në 25 mars 1911, në Fier. Gjimnazin e kreu fillimisht në Berat dhe më pas në Shkodër. Qysh në bangat e shkollës së mesme u angazhua me lëvizjen kulturore si kryetar i shoqatës “Besa Shqiptare”. Së bashku me bashkëkohësit e tij si Jorgji Xoxa dhe prof. Namik Resuli, ai do të ishte një nga themeluesit e shoqërisë sportive “Apolonia” të Fierit. Pas përfundimit të shkollës së mesme Jakov Milaj punoi disa kohë si mësues dhe për një kohë të caktuar edhe si sekretar i komunës së Kolonjës. Në këtë kohë ai nis të shkruajë dhe të merret me publicistikë në një sërë gazetash dhe revistash të shtypit Shqiptar si: “Arbëria”, “Përpjekja Shqiptare”, “Gazeta e Tiranës”, “Besa”, “Vatra” etj.
Në vitin 1935 Jakov Milaj merr pjesë në Kryengritjen e Fierit, ku arrestohet dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Duke përfituar nga amnistia e disa muajve më vonë, lirohet dhe niset për në Itali, ku studion në Universitetin e Torinos për veterinari. Në Torino ai ndau çastet e fundit me Migjenin, i cili kishte shkuar për tu kuruar në Sanatoriumin e Tore Peliçes. Në takimin e fundit Millosh Gjergj Nikolla i besoi atij dorëshkrimin e poemës “Vargjet e lira”, të cilin Milaj i solli në Shqipëri, dhe ja dorëzoi vite më vonë motrës së poetit, Ollgës.
 
Në Shqipëri punoi si mjek veteriner, ndërsa gjatë luftës në vitin 1943 u emëruar për pak kohë edhe si ministër i Bujqësisë në një nga qeveritë kolaboracioniste. Në Janar të vitit 1944 botoi librin “Raca shqiptare”. Ndërkohë që në vitin 1945 nën akuzën si kolaboracionist, u dënua nga gjykatat komuniste me 15 vjet burg. U lirua pas gjashtë vitesh duke përfituar nga amnistitë, por persekucioni do të pasohej nga internimi fillimisht në Llakatund të Vlorës dhe më pas në fshatin Shtyllas të Fierit. Persekucionin do ta përfundojë në vitin 1956, kur lejohet të vendoset në Fier së bashku me familjen dhe të punojë si veteriner në ndërmarrjen bujqësore “Çlirimi”. Krahas punës së përditshme dr. Jakov Milaj botoi edhe tetë libra për blegtorinë, disa prej të cilëve tekste universitarë.
Pas botimit të parë në janar 1944, libri “Raca shqiptare” është ribotuar katër here të tjera. Fillimisht në Prishtinë nga “Valton” në vitin 1994 dhe më pas në Tiranë në vitin 1995 nga “Eurorilindja”, si dhe në vitin 2005 nga shtëpia botuese “Uegen”./standard
Burimi:http://www.flurudha.com/ Punoi për ALVA – V. D.