Futbollisti më i famshëm shqiptar Lorik Cana, në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”, Tv Klan, ka rrëfyer jetën e tij nga fëmijëria e deri tani që luan tek ekipi i “Lazios”. Ai rrëfen pasionet e tij e tij të shumta, tregon lidhjen e tij me “Aleancën Kuqezi”, thekson se nuk do të marrë pjesë kurrë në politikë, etj.   (viti 2013).

Do doja të bënim një intervistë që mikson jetën, karrierën dhe të gjitha ato që ti ke jetuar.  Keni lindur në Gjakovë? – Në Prishtinë…

Familja vjen nga Gjakova? – E gjithë familja.

Sa vjeç ishit kur u larguat nga Kosova? – Unë jam larguar nga Kosova në vitin 1990, kur kam qenë 7 vjeç.

Babai juaj ka qenë një nga futbollistët simbol, një nga ato legjendat e futbollit prishtinas. E mbani mend kur babai luante me Prishtinën? – E mbaj mend shumë pak, sepse kam qenë shumë i vogël. Sidomos vitin kur Prishtina ka hyrë në lig të parë të Jugosllavisë, që ishte klubi i dytë shqiptar pas Trepçës, në vitin 1978 më duket se ka hyrë, Prishtina ishte klubi i dytë, por e kishte një rëndësi, sepse njerëzit kur kthehen në Kosovë janë shumë nostalgjik ndaj kësaj kohe.

Si ju zbuloi PSG? – Ika në provë. Në fakt kam bërë një eksperiencë që e kanë pasur edhe shumë të tjerë. Kam kaluar kufirin si refugjat për të shkuar atje. Nga Zvicra ika në Francë, ku kam marrë trenin për në Lion. Nga aty kam shkuar në Paris. Aty më ka pritur klubi.

Ju nuk i thatë klubit që kishit shkuar ilegalisht? – Jo, jo, sepse sigurisht që nuk mund të pranoheshim. Ishte problem, sepse po të ndodhi një dëmtim apo diçka tjetër, ishte problemi i sigurimit. Ndodhi që kur u ktheva, prova ishte e suksesshme, por doli problemi i letrave. Sepse unë nuk doja të ikja pa prindërit e mi në Paris. Doja t’i merrja dhe ata me vete. Dhe në atë kohë shumë kosovarë i kthyen sapo kishte mbaruar lufta. Unë isha 16 vjeç ende. Ata i kthyen në Kosovë, kurse unë jo. Shkova në Paris dhe qëndrova disa muaj atje. Prita 3-4 muaj për punën e letrave. Pas disa muajve u bë maksimumi për t’i sjellë dhe prindërit e mi dhe prej aty kam filluar rregullisht.

Si ishte eksperienca e PSG? – Ishte fantastike. Isha i ri dhe me fatin që flisja gjuhën. Sepse në Lozanë mësoja frëngjishten dhe kam bërë shkollën.

Kalimi yt nga PSG për tek Marseja, një nga klubet e mëdha, i famshëm, me shumë trofe dhe me fansat më të çmendur, po të përdor këtë fjalë që përdoret rëndom në futboll. Si dhe përse ndodhi? – Ndodhi për disa arsye. Në fakt unë nuk e kisha në planet e mia në fillim për t’u larguar nga Parisi, por filloi sezoni dhe unë e shihja se në planet e klubit vazhdoja të konsiderohesha si i riu i skuadrës. Por nuk e mendoja që për lojën e dy viteve, ku ishte sezon i suksesshëm, fituam kupën, shkuam në Champions League. Kam pas një fat që në vitin 2004, në moshën 21 vjeç, kam luajtur në Champions si titullar, që është një gjë fantastike për një lojtar. Dhe kur nisi viti i katërt i qëndrimit tim te PSG si profesionist, kishin sjellë shumë përforcime në skuadër dhe nuk isha titullar dhe doja të luaja patjetër sepse isha i ri dhe në formë të mirë.

Ishte befasues transferimi tek Olimpik Marsejë? –  Ishte sepse nuk e prisja. Unë e kisha mundësinë dhe mu afrua Olimpiku. Madje e kisha shprehur që në fillim, se isha tifoz i saj që në vitin 1993, kur fituan Champions-in kundër Milanit.

Dhe më pas qëndruat tek Marsejë, duke u bërë një nga simbolet e saj. U bëtë dhe kapiten i skuadrës. Ishte tërheqëse eksperienca atje. Pse u larguat më pas? – Edhe tani mbetet eksperienca më e bukur që kam pasur, sepse kam përjetuar gjëra edhe ekstrasportive. Me njerëzit, me fansat, me tifozët. Kam gjetur shoqëri dhe madje familja ime jeton ende aty. Përveç Kosovës dhe Shqipërisë, Marseja është vendi i tretë i imi. Dhe gjithmonë do jem i lidhur me atë vend, sepse kam raporte të tilla me njerëzit atje.

Përse ikët? U transferuat në Premier Ligë. – Ika, sepse i bëra 4 vite dhe 4 vite shumë të suksesshme. Të suksesshme për klubin dhe karrierën time personale. E sollëm klubin në elitën franceze përsëri, sepse nuk ishte në të. Nuk e patëm fatin të shpallemi kampion, sepse në atë kohë ishte Lioni që ishte superdominues në Francë. Vetëm vitin e fundit që e kishim si mundësi, e humbëm kampionatin në ndeshjen e fundit. Ajo ka mbetur si shije negative, që nuk u bëra dot kampion në Olimpik. Por klubin e ngjitëm dhe për atë jam shumë krenar. Por ishte për mua edhe një kohë prej 7 vitesh në Francë dhe koha për të provuar eksperiencë të re jashtë saj. Doja ta provoja veten dhe ta sfidoja për të provuar aventura dhe eksperienca të reja. Për ta stimuluar veten se sa mund të arrij në një tjetër vend.

Te PSG dhe Marsejë keni qëndruar pak a shumë me kohë të barabarta. Ndërkohë që te Sunderland, Gallatasaraj dhe Lacio, po t’i mbledhësh të tre klubet bëhet më pak kohë se çfarë ke qëndruar te Marseja apo PSG. Përse s’keni gjetur stabilitet në transfertat e mëvonshme? – Janë shumë arsye. Unë ika nga Marseja në Angli te Sunderland, që është akoma kampionati më i fortë dhe më i bukur në botë, për mendimin tim, dhe më i vështiri. Dhe pata atje një vit jashtëzakonisht të suksesshëm. Ku që në vitin e parë shkova te një ekip që nuk ishte në elitën e kampionatit, por nga mesi i saj, por është një klub shumë i madh.

Dhe u zgjodhët kapiten? – U zgjodha kapiten sepse u bënë shumë ndryshime. Vitin e parë me një menaxher të ri dhe nga përvoja ime që e kam pasur më parë këtë detyrë, e pranova me kënaqësi, për ta nderuar shiritin e kapitenit.

Dhe përse u larguat më vonë? – U largova sepse në fund të vitit kisha dëshirë, madje kam pasur gjithnjë dëshirë, që një ditë në karrierën time të luaja për Gallatasarajin. Pse për Gallatasarajin, sepse më ka tërhequr gjithnjë si klub.

Është themeluar nga djali i Sami Frashërit? – Edhe për këtë fakt, se është themeluar nga djali i Samiut. Por thjesht edhe se në Kosovë kemi adhurues të Gallatasarajit.

Ka në Kosovë adhurues të Gallatasarajit? – Po, absolutisht. Jashtëzakonisht shumë. Është skuadër e madhe. Që të jep mundësinë që të luash në Champions dhe në nivele të larta. Dhe në fakt nuk e kisha planifikuar të shkoja në një moshë kaq të re. Kisha planifikuar të shkoja pas moshës 30 vjeç, ndoshta nga fundi karrierës. Por më erdhi mundësia, ishte një trajner si Frenk Rajkard.

Pjesa e klubit më thanë se tifozët ju duan shumë dhe vetë klubi ndihet mirë me ju. Por ka qenë një vit jo shumë me fat për ju, në raport me dëmtimet? – Ka qenë një vit pak i vështirë sepse kam qenë pak i dëmtuar në gju kur kam mbërritur. Dhe nga moduli të cilin trajneri vendoste të luante nuk kisha gjithkund hapësirën e duhur, hapësirën që e dëshiroja unë. Jam aktivizuar disi në fillim dhe më pas kam kuptuar mënyrën se çfarë kërkohej në Itali, nga lojtarë që edhe karakteristikat e mia janë të ndryshme. Por që kam një eksperiencë të madhe dhe jam aktivizuar gjithandej. Kam luajtur në kupat e Evropës, madje jam aktivizuar në të gjitha. Në fund të vitit nisa të aktivizohesha titullar edhe në kampionat. Dhe kur u ktheva në janar ndodhi dëmtimi i rëndë që më la 3 muaj jashtë fushave. Dhe shyqyr Zotit që jam kthyer mirë.

Është e vështirë të jesh në 11-shen e parë të Lacios? – Sigurisht që është e vështirë, por unë e marr këtë si sfidë. Por sa herë që luaj e ndjej veten shumë mirë. Kampionati është elitar, por unë kam luajtur në një klub në eksperiencën time si Olimpiku i Marsejës, që është më i madh se Lacio. Edhe Gallatasaraji gjithashtu. Por Lacio mbetet një klub i madh, elitar, që ka pretendime në një ndër kampionatet më të forta në botë dhe jemi duke luftuar për pozita të mira. Kjo dëshmon cilësinë e skuadrës.

A ndikon miqësia me Igli Taren? Ndikoi për t’u transferuar te Lacio, po për aktivizimin e mëtejshëm? – Në fakt raportet me Iglin, apo fakti që më ka sjellë këtu dhe fakti që jam shqiptar, kjo mund të jetë diçka jo si negative, por më shumë të krijon pengesë në fillim sesa të jep përparësi. Dhe nga loja jote duhet t’i thyesh këto dyer dhe të marrësh respektin e të justifikosh veten një herë si njeri, gjë që e kam arritur këtu dhe sigurisht performanca që jam duke shkuar mirë e më mirë, do e marrësh respektin nga të gjithë.

Më 11 qershor 2013 ju u transferuat, apo zhvilluar ndeshjen e parë me Kombëtaren e Shqipërisë. Si ndodhi, pasi ju keni tre pasaporta? Përse zgjodhët Shqipërinë? – Vitet kur jam rritur në Zvicër nuk kam bërë kërkesë. Kur më janë afruar nuk u kam dhënë përparësi për të luajtur për ekipin e parë të Zvicrës. Sepse mendoja që në të ardhmen isha i fokusuar në karrierën time personale. Në momentin që mbërrita në Francë dhe mora nënshtetësinë franceze pas disa viteve, në mendjen time ishte ideja e qartë që do luaja për Shqipërinë.

Donit të luanit për Shqipërinë? – Doja të luaja.

Ratë ju në kontakt, apo ju kërkoi ekipi? – Jo, në fakt nëpërmjet Edvin Muratit, që më ka lidhur me drejtuesit e ekipit kombëtar që në atë kohë. Ishte në atë kohë Sulejman Demollari, kurse Sulejman Starova ishte sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit. Erdhën, biseduan dhe ftesën e parë e kam marrë në shtator të vitit 2002. Isha vetëm 19 vjeç dhe mora ftesën për ndeshjen e parë në miqësoren me Kosovën, që ishte simbolike, në Prishtinë. Aty ku babai im ka luajtur. Dhe më pas pasaporta është bërë shumë shpejt.

Ju u angazhuat në Aleancën Kuq e Zi. Përse u angazhuat, cila ishte ideja që kishit? – Aleanca Kuq e Zi ka më shumë se një vit, ka 15 muaj që ka lindur si lëvizje. Por ishte një mënyrë shumë natyrale dhe të gjithë tek kjo lëvizje i adhurojnë këto ide që sjellë Aleanca Kuq e Zi. Besoj çdo shqiptar është në mënyrë natyrale i tërhequr nga mesazhet që sjell AKZ. Duke parë mënyrën dhe qëllimin si ka lind AKZ, si lëvizje popullore, lëvizje nacionaliste dhe për të mbrojtur interesat e vendit tonë, duke ngelur lëvizje popullore, unë kam qenë i gatshëm ta mbështesë. Se përveç disa aspekteve bamirësie në sport, asnjëherë nuk i jam bashkangjitur politikës. Dhe absolutisht nuk do e bëj deri në fund, sepse nuk më takon mua t’i them një shqiptari t’i them se ku duhet të votojë, pasi secili ka idenë e tij. Dhe AKZ ishte lëvizje popullore dhe derisa mbetet e tillë, unë e kam mbështetur.

Sot është parti politike … Po, sot ajo është parti politike dhe unë nuk e dëshiroja këtë.

Ju ishit kundër që të kthehej në parti politike? – Po, isha kundër.

Përse? – Sepse për mendimin tim mund të realizonim shumë gjëra duke mbetur lëvizje nacionaliste dhe mbarëkombëtare.

Kjo do të thotë se edhe ata që votonin për PS apo PD mund të angazhoheshin në këtë lëvizje? – Absolutisht po. Ndaj për mendimin tim është bërë shumë herët. Mbase në një moment mund të shndërrohej parti politike. Por mbështetja ime në fillim ka lindur edhe për miqësinë që kam me zotin Kreshnik Spahiu, të cilin unë e vlerësoj shumë si njeri. Sepse është një njeri patriotik dhe e ka një dëshirë të madhe për popullin e tij. Ai e dinte fort mirë se unë isha kundër shndërrimit në parti politike, por e kanë vendosur të shndërrohen dhe do shohim se çfarë suksesi do ketë.

Ju do të jeni pjesë e kësaj partie politike? – Absolutisht jo.

Keni ambicie për t’u përfshirë në politikë? – Jo. Jo.

Nuk hyn fare në interesat tuaja? – Fare. S’ka arsye, pasi unë jam në një tjetër degë ku jap kontributin tim, sporti. Ndoshta kultura dhe trashëgimia e vendit, ka mundësi që të angazhohem në të tillë. Por në politikë, absolutisht jo.

Ju e keni shprehur edhe në një revistë të Lacios se keni pasion për historinë dhe arkeologjinë. Ju jeni diplomuar për histori, apo jo? – Jam duke u diplomuar dhe kam shumë dëshirë që deri në fund të karrierës time, kam disa vite në dispozicion për ta marrë këtë diplomë dhe do ta marrë në universitet publik të Tiranës.

Jeni i regjistruar atje? – Po, jam i regjistruar.

Po arkeologjia, ç’ne ky pasion për të? – Nuk e di pse.

Është i herët apo ka lindur së fundmi? – Është shumë i herët. Do e përfshij një koment pak ndryshe. Njerëzit pyesin shpesh, pse kaq atdhetar dhe pas Shqipërisë e vendit tënd. Brenda vetes i kam pas këto ndjenja. Por sigurisht kur je i larguar, mërgimtar, ndikon më tepër.

Ka ndikuar mërgimi? – Ekzakt. Pamundësia me u kthye. Kur jam larguar nga Zvicra kam qëndruar 9 vjet pa shkuar në Kosovë. Kam parë situatën politike, vuajtjet e vendit tim. Duke hyrë dhe në pjesën e historisë, kam parë dhe çfarë historie të vjetër kemi. Dhe më ka pëlqyer e jam fokusuar shumë.

Për ju thuhet se keni dhe një bibliotekë të madhe të mbushur me libra enciklopedik dhe historik. Keni kohë të lexoni? – Po, e vërtetë. Kohë kam të lexoj. Lexoj, edhe këtu kam disa libra që më duhen për universitet dhe disa për qejf, të disa shkrimtarëve që i lexoj kur jam në avion, lëvizje apo hotele.

Kadareja vazhdon të mbetet një nga shkrimtarët tuaj më të preferuar? – Si çdo shqiptari, jo vetëm i imi.

E njihni personalisht? – Personalisht jo, nuk e kam takuar. Kemi folur në telefon, ka takuar disa anëtarë të familjes time. Kemi folur madje dy-tre herë në telefon. Por kam shpreh dëshirën ta takoj. E di që jeton në Paris, ku unë kam jetuar disa vite. Por në të ardhmen jam i sigurt që do e takoj.

Ndihen mirë emigrantët shqiptarë në Romë nga prezenca juaj në një ekip të këtij qyteti? – Kjo është diferenca, sepse shumë shqiptarë që kanë ardhur herët kishin harruar dhe gjuhën. Kurse në Francë nuk ka pasur shumë shqiptarë. Në Angli ka pasur. Kur luanim në Londër, Mançester, vinin shumë që më ndiqnin. Por në Itali sigurisht ka më shumë shqiptarë. Në çdo stadium të Serie A sheh flamuj shqiptarë, apo që vijnë në qendrën stërvitore këtu, të flasin. Edhe në qytet, në Romë ka shumë shqiptarë që të afrohen, të flasin, madje dhe në rrugë e restorante.

Vazhdoni të keni në atë që quhet garazhi juaj, Porshin, Audin dhe ML-në AMG? – I mbaj, sigurisht.

Kaq pasion keni për makinat e shpejtësisë? – Shumë, shumë.

Cila është makina juaj e preferuar? – Vështirë, se varet çfarë makine. Por në perspektivë për mua Porshi mbetet një nga më të mirat.

Cilën makinë përdorni më shumë? – Do ju bëj për të qeshur! Në Romë, makina që përdor më shumë është një Tojota e vogël, sa një Smart, dhe atë përdor. Sepse parkimi është shumë i vështirë në Romë dhe me atë lëviz në qytet se mund ta lësh ku të duash.

Dhe pasionin për shpejtësinë duhet ta vendosësh në bagazhin e Tojotës? (qesh) Normal. Makinën e marr sepse shkoj në qendrën stërvitore dhe është më larg. Por e kam pasion makinën sepse më pëlqen shumë sporti i automobilizmit.

Është e vërtetë që keni thënë se nëse nuk do ishit futbollist do ishit pilot i Formula Uno-s? – Jam pak i gjatë dhe nuk mund të hyj dot në to (qesh). Di që Hill ishte pothuajse sa unë, 186 cm, më duket. Por pas futbollit kam miq e shokë që marrin pjesë në këto gara, për shembull në Francë. Dhe mbas futbollit nëse kam mundësi të më duhet të marr pjesë nëpër gara, mund ta bëj.

Pasioni për shpejtësinë vazhdon të mbetet, sikurse thuhet në shumë komente për ju pasioni për kuajt e garave? – Pasioni për shpejtësinë po. Kurse për kuajt, garat e pengesës më shumë.

Dhe keni kuaj këtu? – Kam kuaj, po.

Ku i mbani? – Në Gjermani. Aty është vendi më i mirë për kuajt e pengesës. Gjermania, Franca, Anglia, Holanda apo Belgjika, janë vendet më të njohura për kuajt e garave.

Sa kuaj mbani? – I kam katër. Janë të gjithë të rinj. Njëri i ka mbush 6 vjeç, por është ende i ri dhe ka filluar garat.

Prej sa kohësh merreni me ta? – Prej tre vitesh. Dhe e kam filluar pa njohur asgjë.

Ndërkohë që keni qenë edhe model mode. Mbaj mend në Paris imazhin tuaj në fundin e një autobusi, imazh gjigant. Por ishte dhe gjithandej. Keni qejf të bëni modelin, ju pëlqen? – Nuk e di. Më pëlqen, argëtohem se është diçka e veçantë. Ashtu si çdo njeriu i pëlqejnë rrobat e bukura dhe kur të jepet mundësia për të bërë ndonjë gjë, provon ndonjë gjë tjetër. Provon një botë të re, njeh njerëz të rinj. Dhe ishte eksperiencë shumë e mirë, shumë e bukur.

Ka shumë komente që lidhen me raportet që ju keni me femrat, edhe si futbollist i suksesshëm. Mbaj mend që një prej sajteve franceze ju pati shpallur futbollisti më seksi, sipas votimit të femrave në Francë, për Ligën e Parë franceze në atë kohë. Keni lënë pas Gurkufin e Bordosë. Ju pëlqenin femrat, kishit shumë kërkesa në faqen tuaj? – Në përgjithësi nuk kam qenë i fokusuar pas kërkesave.

Ju pëlqejnë femrat? – Normal, dhe shyqyr Zotit. (qesh). Por ajo që i jap përparësi janë puna, marrëdhëniet me familjen. Por që ta gjesh një person, një person i mirë që ta kesh në krah, është gjë shumë e mirë. Derisa në momentin kur nuk e ke gjet personin e duhur për jetën tëndë, duhet ta kërkosh.

Ka pasur ndonjë histori që ka lënë peshë te juve. Histori dashurie? – Histori nuk kam pas shumë në jetën time, mund t’i numëroj dhe me gishtat e dorës. Edhe më pak. Tre apo katër histori. Di që ka pasur shumë histori në shtypin shqiptar, por ndonjëherë mjafton të jem në prezencë të dikujt dhe qarkullon. 

A keni një histori solide të këtyre kohëve? – Këto kohë po. Jam me një vajzë këtu në Itali. Jo prej shumë kohësh, por ndihem mirë. Më afron gjërat që kam nevojë dhe gjithashtu unë mund ta ndihmoj atë në gjërat që ka nevojë dhe si njeri. Ka pak muaj, por ndihem mirë.

Aktualisht jeni në Romë. Cili mendoni se do jetë stacioni i ardhshëm i karrierës tuaj? – Dëshira ime është të mbetem te Lacio vitin e ardhshëm. Jam rikuperuar, kam bërë paraqitje të mira, kam dhe respektin e skuadrës dhe tifozëve dhe ndihem shumë mirë.

Edhe stafi këtu ishte shumë entuziast? – Kam krijuar marrëdhënie të mira. Njerëzit presin për të ardhmen, por gjëra pozitive mund të ketë. Qytet i madh, vend fantastik me shumë tifozë dhe kam dëshirë të arrijë gjëra të bukura me Lacion. Ndoshta një vit tjetër, dy vite të tjera, nuk e di sa, por nuk e kam dëshirën që të largohem nga Lacio.

I ke ende tatuazhet? – I kam tatuazhet. Sigurisht që i kam. Kam bërë një të ri para pak kohe…

Me…? – Me shqiponjën.

Marrë me shkurtime nga “Opinion” Tirana Observer / Përgatiti për ALVA – E. D.